Flet familja e plaҫkitësit që humbi jetën dje, pas ngjarjes në Istog – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Flet familja e plaҫkitësit që humbi jetën dje, pas ngjarjes në Istog

19:44 | 28 Dhjetor 2018

Dje ndodhi një ngjarje shumë e rëndë në Istog, ku humbën jetën dy persona, njëri plaҫkitësi e tjetri anëtarë i Policisë së Kosovës.

Pak njerëz janë mbledhur në familjen Metaj në fshatin Shushicë të Istogut.

Aty po mbahet e pame për Kamer Metajn që u vra një ditë më parë, pas përleshjes që pati me Policinë e Kosovës, ku dhe qëlloi njërin prej tyre.

Familja e të ndjerit janë distancuar nga veprimet e djalit, ndërkaq, kanë thënë për Express se i kërkojnë falje familjes së policit të ndjerë, duke shtuar se kushtet e Kamerit nuk ishin të këqija që ta çonin drejt vjedhjes.

Kamer Metaj kishte pak vite që ishte kthyer në Kosovë nga Gjermania. Nga aty, tashmë i ndjeri do të dëbohej pasi që paraprakisht kishte kryer 18 vite e gjysmë burg.

Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin ku jetonte Kameri me familje në Shushicë të Istogut. Familjarët kanë pak fjalë për të ndjerin e u distancuan nga vepra e një dite më parë. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.

Kërkim falje kërkuan nga ta në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.

“I kërkojmë falje familjes së policit të ndjerë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.

Sipas tyre, i ndjeri gëzonte pasuri familjare e nuk po e bënte atë vepër si pasojë e kushteve të këqija ekonomike.

“Ka pas pasuri boll ska pas nevojë me ba këtë gjë se ka pas gjendje të mirë ekonomike 30 krerë lopë ka pas shtallë nuk ka pas përshtypje që mundet me bo ksi gjanash”, po përfundojnë ata.

Për familjen Metaj ngjarja rëndohej edhe më shumë, sepse edhe një djalë tjetër i familjes, vëllau i të ndjerit që siç mëson Express quhet Ylber Metaj është prapa grilave.

Së bashku me të është edhe kushëriri i tyre, Ujkan Metaj. Të dy këta, po dyshohet se pasditen e së enjtës ishin nisur drejt bankës NLB në Istog, së bashku me Kamerin, me qëllim për të kryer vjedhje.

Për këtë, prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë komunë caktim të masës së ndalimit për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vjedhje Grabitqare”.

Dëshmitarët thanë për Express se i dyshuari e njihte mirë policin Demaj, ashtu sic e njihnin edhe i gjithë Istogu sepse nga ta konsiderohej si makth që nuk i linte të kryenin punë të jashtëligjshme.

Sipas informacioneve nga ata që panë rastin i ndjeri ishte futur në bankë e nga aty do të merrte edhe dy pengje duke tentuar që të largohej. Aty u zë në pritë nga polici i ndjerë Izet Demaj me të cilin do të shkëmbenin zjarr. Të dy këta nuk arritën të ju mbijetonin plagëve të marra.

Komento: