Flet motra e Ukshin Hotit: Ai torturohej në burg sepse refuzonte të fliste serbisht

19:13 | 16 May 2023

Motra e Ukshin Hotit: Ai torturohej në burg sepse refuzonte të fliste serbisht.

Myrvete Hoti, motra e Ukshin Hotit, ka treguar se si ky i fundit është torturuar në burg për shkak se ka refuzuar të flasë në gjuhën serbe.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo e ka përmendur një rast kur e ka parë vëllanë e saj vetëm “asht dhe lëkurë”, për shkak të torturave të regjimi serb.

“Sidomos kur ka qenë në burgun e Mitrovicës, na kanë detyruar të flasim në gjuhën serbe për të na kuptuar. Në gjuhën serbe Ukshini nuk donte të bisedojë sepse nuk ka dashur ta nënçmojë gjuhën e vetë shqipe”.

Tutje, ajo ka shtuar se kur shkonin për ta vizituar Hotin në burg, vizita zgjaste vetëm pesë minuta.

“Kur shkonim nga pesë minuta vizitë, nga një polic ka qenë në të dyja anët dhe çdo lëvizje, çdo mimikë na përcillnin mos diçka po merremi vesh ne”.

“Për ne dhe për të [Ukshinin] ka qenë shumë e vështirë. Ai ka qenë i torturuar jashtë mase. Një herë kur nuk pranoi ta flasë gjuhën serbe, aq shumë e kishin torturuar sa nuk di se si kishte mbetur gjallë”.

“Trupi i tij ka qenë veç asht dhe lëkurë, aq shumë u pata nervozuar sa nuk di – s’kam fjalë as shprehje ta them. Tepër e kanë torturuar”.

Komento: