Flet UNIMK, shtetasi rus u dërgua në Beograd për trajtim

18:59 | 30 May 2019

UNMIK-u konfirmon largimin e shtetasit rus.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka konfirmuar se punonjësi i vet Mikhail Krasnoschekov po dërgohet në Beograd.

Shtetasi rus ishte arrestuar të martën në veri nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kishte ndihmuar qytetarët serbë në barrikadimin kundër policisë në aksionin për kapjen e zyrtarëve që dyshohen për kontrabandë.

Mediat serbe sot raportuan se Krasnoschekov do të dërgohet në Beograd nga Mitrovica për trajtim mjekësor.

Tani UNMIK-u ka thënë se ai po dërgohet në Beograd për shërim ku edhe do të ribashkohet me familjen e tij.

“Bazuar në vlerësimin e plotë të ekspertëve mjekësorë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe ekipit mjekësor të UNMIK-ut, është e domosdoshme që anëtari i stafit tonë, me kombësi ruse, të dërgohet në një qendër mjekësore që mund t’i ofrojë trajtim special në përputhje me dëmtimet e marra”, thuhet në njoftimin e UNMIK-ut.

Sa i përket zyrtarit tjetër të arrestuar më 28 maj, UNMIK-u ka thënë se ai ishte liruar të mërkurën në mbrëmje dhe po trajtohet për lëndimet e marra gjatë arrestimit. Gjendja e tij është stabile.

UNMIK-u ka komentuar edhe raportimet për kërkesën për heqjen e imunitetit të zyrtarit rus të arrestuar. Për këtë ka thënë se çdo kërkesë për heqjen e imunitetit përcillet nga UNMIK-u te Shtabi i Kombeve të Bashkuara. Kërkesat ka thënë se konsiderohet në përputhje me procedurat e caktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Komento: