Flet vëllau i Donjeta Pajazitaj: Në vrasjen e motrës time janë të përfshirë edhe persona të tjerë

12:41 | 02 Janar 2023

Vëllau i Donjeta Pajazitaj: Në vrasjen e motrës time janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

Festë në familjen Pajazitaj, nuk ka tash e sa vjet.

Për ta, dëshira më e madhe është zbardhja e vrasjes së vajzës së tyre.

Ata për 7 vjet radhazi po kërkojnë drejtësi për vajzën e tyre Donjeten, që dyshohet se u vra nga kushëriri i tyre, Naser Pajazitaj, në bjeshkët e Strellcit, në Komunën e Deçanit.

Vëllai i viktimës, Shkëlqimi në një rrëfim për Front Online tha se ndjehet i zhgënjyer me drejtësinë, pasi që rasti i motrës së tij u kthye disa herë në rigjykim.

“Nuk e di pse po zvarritet rasti, kaluan 7 vite ende pa marr fund, ne menduam që mori fund edhe pse të zhgënjyer nga ana e drejtësisë, dëshira jonë si familje ka qenë që drejtësia me e zbulu deri në fund rastin”, tha ai

Me dhimbje të madhe, vëllau Shkëlqimi për Front Online rrëfen ngjarjen që sipas tyre ka ndodhur.

Dorasi që ia mori jetën Donjetës, Shkëlqimi mendon se nuk ka qenë vetëm.

Ai beson se vrasja e motrës së tij u krye nga më shumë persona.

“Me e zbulu kush ka mundur me kanë bashkëpunëtorë me të, kur po e them kush ka mundur me qenë me atë po e them duke u bazuar në gjendjen e tij çfarë e ka pasë, ai ka qenë me paterica qysh ka mundur një njeri me e bë këtë punë vetëm sidomos rrugës bjeshkës asnjë shans nuk ka Donjeta mos me reagu asgjë”.

Shkëlqimi tregon edhe rrjedhën se si ka ndodhur rasti.

Por megjithatë, ai ka dyshimet e tij se Naseri (i akuzuar për vrasjen e Donjetës) ka qenë i ndihmuar nga dikush tjetër.

“Është e vërtetë që Donjeta u hyp në xhip të tij se prej shtëpive tona e deri te autobusi janë dik 2-3 km që duhet me i kalu e qysh janë traditat këtu në fshat në shenjë respekti, e marrim njëri-tjetrin për deri te autobusi jo vetëm te ne si mëhallë e Pajazitaj po në çdo mëhallë tjetër atë e bëjmë në shenjë respekti, po kur erdh te vendi ku është dashur me zbrit Donjeta ai kur nuk e ndalë xhip ka qenë mesi i ditës në qendër të Strellcit u kanë lokali vetëm një britmë sa do e vogël e Donjetës ata i kish pa dikush e lëre më ndonjë reagim”.

Për këtë, Shkëlqimi e ka edhe një version se di ka mundur të ndodh ngjarja.

“Në atë kohë edhe në hyrje të bjeshkës ka qenë duke u ndërtuar një restorant, kanë qenë punëtorët, aty nuk ka gjasa pa e pa dikush, po dyshimi i yni është që ai ka qenë me dikë dhe Donjeta nuk ka mundur të ju bëjë ballë ose e kanë lidh ose i kanë gju sprej e kanë vendos në gjumë, e shumë lehtë e kanë kalu fshatin, tani sikur të ishte ajo vetëm me të akuzuarin, ajo sidomos rrugës Bjeshkës një reagim i saj, i akuzuari e kish hup kontrollin e ishin përplas diku mE xhip”, tha ai për Front Online.

Besimi e shpresa për Shkëlqim që të zbardhet e vërteta për vrasjen e motrës është zbehur.

Megjithatë, pret që dënimi të jetë burg i përjetshëm për vrasësin.

“Kemi shpresuar te drejtësia me e zbulu edhe arsyen çka e shtyri atë të ia bëjë këtë Donjetës. Kur Donjeta ka qenë si në shkollë fillore në Strellc, si në shkollë të mesme në Deçan shoqe e ngushtë me çiken e tij (Naserit) shoqe të një banke kanë shku e kanë ardh bashkë. Nuk ka qenë vendim i drejtë, sidomos pas uljes së dënimit nga i përjetshëm në 35 vite. Po shpresojmë që Supremja ka me vepru në mënyrë të drejtë dhe ka me qenë dënimi sikurse herëve tjera, i përjetshëm”, tha ai.

Komento: