Partitë opozitare janë duke synuar rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me kreun e partisë, Isa Mustafa. Temë diskutimi e kësaj mbledhje po del të ketë qenë rrëzimi i Qeverisë Haradinaj.
Pak para fillimit të kësaj mbledhje, deputetja nga radhët e LDK’së, Vjosa Osmani ka treguar se sa vota i kanë për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas Osmanit, deri tash janë mbledhur 57 nënshkrime për këtë punë.
“Tashmë i kemi 57 nënshkrime të cilat janë mbledhur me herët. Për hapat e mëtejmë jemi në koordinim e sipër dhe sot të mbajmë takim të grupit parlamentar për të diskutuar këtë çështje”, ka thënë Osmani.
Ndërkohë pas përfundimit të mbledhjes, në një kumtesë për media, LDK-ja thekson se është në interesin e Kosovës që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Në takim u bisedua dhe u dakordua për veprimet e nevojshme për të proceduar me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. U vlerësua se është në interesin e Kosovës që sa më parë vendi të ketë një Qeveri normale”, theksojnë nga LDK.
Sipas tyre, në mbledhje kryetari Mustafa dhe deputetët e LDK-së vlerësuan se korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.
“Në ditët në vijim LDK dhe grupi parlamentar do të zhvillojnë takimet e nevojshme me grupet e tjera parlamentare për të dakorduar hapat që do të ndërmerren”, thuhet tutje në deklaratën për media të LDK-së.
Ndërkohë, me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë kanë filluar takimet në mes të krerëve të opozitës për mundësinë e një mocioni që mund të çojë në shtëpi qeverinë aktuale.
Mustafa është takuar me Albin Kurtin, kreun e VV-së, e brenda javës pritet që të takohet edhe me Shpend Ahmetin, kreun e PSD -së.