Flet zëdhënësi i FSK-së: Do ta shqyrtojmë ditëve në vijim çështjen e stemës së ushtrisë

18:53 | 07 January 2019

Gjatë ditës është raportuar për dyshimet që emblema e FSK-së mund të jetë e kopjuar nga një kompani e sigurimeve në Amerikë.

Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Ibrahim Shala, ka thënë se emblema të cilën sot e bartin ushtarët e Kosovës, është emblemë origjinale

Për shkak të festës zyrtare Shala ka thënë se nuk mund ta jap detaje të hollësishme lidhur me këtë çështje.

Mirëpo ai ka shtuar se brenda FSK-së do të diskutohet lidhur me raportimet se kjo emblemë është kopjuar nga një kompani amerikane e sigurisë dhe porsa të arrihet një qëndrim i qartë, ai do të bëhet i qartë para gazetarëve.

“Emblemën të cilën e ka sot FSK-ja është emblemë origjinale dhe ne e respektojmë atë. Ne do të diskutojmë lidhur me këtë çështje gjatë ditëve në vijim dhe do t’i njoftojmë mediat për çfarëdo qëndrimi që arrihet”, ka thënë ai për klankosova.

Gjithashtu edhe drejtori kreativ i studios që e ka dizajnuar emblemën, Albian Gagica, ka thënë se simbolet e FSK-së të cilat janë punuar gjatë vitit 2009 janë origjinale dhe janë punuar nga një ekip profesionist.

“Simbolet e FSK-së janë punuar në vitin 2009 dhe janë origjinale. Një ekip profesionist dhe kreativ ka shpenzuar kohë dhe energji në krijimin e simboleve para 10 vjetëve. I kemi punuar me skica, një nga një”, ka shkruar Gagacia në Facebook.

“Nëse dikush ka kopjuar, ajo është kompania e sigurisë me të cilën po mundohemi të kontaktojmë”.

Komento: