Flick flet për Alvarezin, Yamalin, Rodrin dhe për Gavin

14:46 | 26 Gusht 2026

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Athletic Bilbaon, duke i shmangur komentet e drejtpërdrejta për një transferim të mundshëm të Julián Álvarezit te katalanasit.

I pyetur nëse Barcelona do ta transferojë Álvarezin apo nuk do ta afrojë askënd tjetër në sulm, Flick u përgjigj:

“Nuk dua të flas për Juliánin, dua të flas për situatën e klubit.”

Më pas, trajneri gjerman e vlerësoi punën e drejtuesve të klubit dhe veçanërisht drejtorin sportiv Deco, përcjell “Gazeta Express”.

“Ne i kemi bërë disa transferime shumë të rëndësishme. Klubi duhet të mendojë për të ardhmen. Unë, si trajner, e kërkoj më të mirën dhe edhe diçka më shumë, por më pas gjërat mund të funksionojnë ose jo. Kam besim te skuadra dhe duhet t’i menaxhojmë disa situata, duke e gjetur zgjidhje për ndeshje të caktuara. Por cilësia jonë është e jashtëzakonshme. Klubi dhe Deco po e bëjnë një punë të shkëlqyer duke menduar për tri apo katër vitet e ardhshme”, deklaroi Flick.

Ai foli edhe për situatën e portierit Dominik Livaković, i cili mund të largohet në formë huazimi.

“Është shumë pozitive ta kesh një portier me përvojë për vitet e ardhshme. Jemi të kënaqur me Szczesnyn, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme. Afati kalimtar veror ende nuk ka përfunduar”, tha ai.

Sa i përket Lamine Yamalit, Flick bëri të ditur se sulmuesi e ka pasur një shqetësim të vogël, por e vlerësoi paraqitjen e tij.

“Lamine është një gjeni. I ka pasur tri javë pushim dhe është stërvitur vetëm për disa ditë, ndaj është normale që ende të mos jetë në nivelin maksimal. Më pëlqyen shumë 60 minutat e tij. Na dha shumë zgjidhje dhe po bën mirë”, u shpreh Flick.

Ndërkohë, trajneri konfirmoi se Rodri mund të luajë disa minuta në ndeshjen e radhës, ndërsa për Gavin tha se mund t’i duhet rreth një javë për t’u rikthyer në stërvitje me skuadrën.

Komento: