
Roberto Fernandez, sulmuesi 24-vjeçar i Espanyolit, ka hyrë në listën e lojtarëve që Barcelona po monitoron në afatin kalimtar, me kërkesë të trajnerit Hansi Flick, sipas gazetarit Ekrem Konur.
Sulmuesi ka kontratë me Espanyolin deri në qershor të vitit 2031 dhe një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh. Përveç Barcelonës, edhe Como, Fiorentina dhe Hull City po e ndjekin situatën e tij.
Interesi i Barcelonës vjen pas startit të jashtëzakonshëm të Robertos para portës me Espanyolin. Sulmuesi ka shënuar gjashtë gola në gjashtë xhiro të La Ligës, të gjitha si titullar, ndërsa ka grumbulluar 523 minuta në kampionat.
Goli i fundit erdhi më 15 shtator, kur realizoi ndaj Rayo Vallecanos në humbjen 2-1 të Espanyolit. Para kësaj, ai kishte shënuar nga dy gola ndaj Osasunës dhe Levantes, ndërsa kishte realizuar edhe kundër Real Sociedadit.
Kërkesa e Hansi Flickut vjen në një kohë kur Barcelona po zgjeron listën e sulmuesve që po monitoron për afatet e ardhshme kalimtare. Informacioni i Ekrem Konur e vendos Roberton në këtë listë dhe thekson se klubi katalanas po ndjek nga afër zhvillimin e tij, pa pasur deri më tani ndonjë ofertë zyrtare.
Sulmuesi ka edhe një lidhje të mëparshme me Barcelonën. Roberto ishte i huazuar te Barcelona Atletic gjatë sezonit 2022/23, por skuadra e dytë e klubit katalanas nuk e aktivizoi atëherë opsionin e blerjes që ishte pjesë e marrëveshjes.
Barcelona futet sërish në borxh për ‘Camp Nou’, Laporta kërkon 300 milionë euro
Espanyoli e rinovoi kontratën e Robertos në verën e vitit 2025, kur bleu nga Sporting Braga 50 për qind të të drejtave të tij për një shumë prej rreth 6 milionë eurosh dhe i ofroi kontratë deri në vitin 2031. Më vonë, klubi arriti të zotërojë 62.5 për qind të të drejtave ekonomike të lojtarit, pasi u përmbushën kushtet e përcaktuara në marrëveshje.
Klauzola e lirimit është caktuar në 25 milionë euro, shifër e njohur nga klubet që kanë pyetur për sulmuesin gjatë afatit kalimtar. AS e ka identifikuar Hull Cityn si një nga klubet më të interesuara, ndërsa në garë për monitorimin e tij janë edhe Fiorentina dhe Como./Telegrafi/