
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, këmbëngul se skuadra po punon shumë dhe po përmirësohet në çdo aspekt për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Flick ka zbuluar edhe një herë se puna e madhe që po bëhet te Barcelona ka vetëm një objektiv: fitimin e trofeut të Ligës së Kampionëve.
“Siç e thashë edhe sezonin e kaluar, mendoj se po punojmë për të qenë më të mirë çdo ditë. Duhet të përmirësojmë gjërat e vogla, madje edhe ato shumë të voglat, për të qenë në gjendje të përparojmë”, ka thënë fillimisht Flick.
“Për këtë bëhet fjalë dhe sigurisht, kemi edhe një shans për të fituar Ligën e Kampionëve. Është një objektiv shumë i madh për ne dhe punojmë për të çdo ditë”.
“E di që tifozët na ndihmojnë në çdo ndeshje. Është një kombinim i mirë, të jemi të gjithë së bashku dhe për këtë arsye të gjithë po luftojmë për këtë titull të madh”.
Nën drejtimin e Flick, Barça ka siguruar kualifikimin direkt në fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve për dy sezone radhazi. Ata humbën ndaj Interit në gjysmëfinale sezonin e kaluar.
“Ne fituam titullin tonë të parë në Superkupë. Ishte fantastike kundër Real Madridit. Por në fund të fundit, ne jemi Barça dhe po luftojmë për gjithçka. Kemi mundësinë të garojmë për çdo titull dhe kjo është ajo që duam”, perfundoi trajneri gjerman.