
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur hapur për gjendjen shpirtërore të skuadrës pas humbjes së thellë 4-0 ndaj Atletico Madrid, duke theksuar se ekipi duhet ta lërë pas këtë rezultat dhe të përqendrohet te sfida e radhës.
Tekniku gjerman u shpreh se reagimi i skuadrës në stërvitje ka qenë pozitiv dhe se atmosfera brenda grupit mbetet e shëndetshme.
“Gjëja më e rëndësishme tani është se stërvitja e sotme ishte e mirë. Dinamizmi dhe mprehtësia në stërvitje ishin aty, dhe kështu ishte edhe vetëbesimi. Ne shënuam edhe gola”, deklaroi Flick.
Ai e pranoi se disfata ndaj Atletico-s ishte një goditje, por njëkohësisht një mësim për ekipin.
“E humbëm ndeshjen e së enjtes dhe ky ishte një mësim për ne, por do të ecim përpara. Duhet ta pranojmë humbjen dhe të përqendrohemi te ndeshja me Gironën,” shtoi trajneri.
Duke folur për përballjen e ardhshme ndaj Girones, Flick paralajmëroi një kundërshtar të organizuar dhe të guximshëm.
“Presim një kundërshtar të organizuar, të pozicionuar mirë, i cili do të përpiqet të luajë me guxim. Sigurisht, është e rëndësishme për ne të gjejmë më shumë mprehtësi dhe dinamizëm krahasuar me ndeshjen e fundit,” përfundoi ai.
Barcelona synon reagimin e menjëhershëm për të rikthyer besimin dhe për të mos lejuar që humbja ndaj Atletico-s të ndikojë në vazhdimësinë e sezonit.