Flijimi i Jasharëve, mobilizoi kombin në luftën çlirimtare – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Flijimi i Jasharëve, mobilizoi kombin në luftën çlirimtare

Shkruar nga: Jakup Krasniqi

13:31 | 05 Mars 2019

Në shenjë përkujtimi për Epopenë e Jasharëve, në vigjilje të 21 vjetorit:

FLIJIMI I JASHARËVE, MOBILIZOI KOMBIN NË LUFTËN ÇLIRIMTARE

Në luftën e Prekazit u vranë 58 (62) shqiptarë, fëmijë, gra, pleq e të rinj dhe kjo qe një humbje e madhe për tërë kombin, e sidomos për Drenicën e Jasharët. Marsi Muaj i Lavdisë së Madhe dhe njëkohësisht i Dhimbjes së Madhe, çdo vit na sjell kujtimin e rezonimin se ku ishim, ku jemi e ku duhet të ishim dhe pse nuk jemi aty ku aspironin brezat e shumtë shqiptarësh?

Në Marsin e vitit 1998 armiku kishte bërë hesapet e tija se duhej të sulmoheshin Jasharët dhe Komandantin Legjendar – Adem Jashari, me të gjitha mjetet policore e ushtarake, forca të shumta të specializuara për të eliminuar një familje dhe pasta frika do të ishte ajo që do t’i jepte rrugën e ikjes një populli shqiptarë të Kosovës. Por koha tregoi se armikut të egër e gjakatar llogarit i dolën të gabuara, sepse radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas atij luftimi të përmasave të padëgjuara deri atëherë, prodhoi efekte krejt të kundërta. Prodhoj efekte mobilizimi e masivizimi të shqiptarëve për luftën çlirimtare. Qëndresa e Jasharëve bëri që Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i shtoheshin në mënyrë marramendëse luftëtarët e Lirisë. Populli, e sidomos rinia shqiptare, po bindej gjithnjë e më tepër se nderi e dinjiteti i kombit e i Atdheut do të mbrohej vetëm me luftën e armatosur, ashtu si kishin luftuar me guxim e vendosmëri Jasharët legjendar. Populli u bind se liria e çlirimi nuk do të vinin me përulje, me pritje e nënshtrim apo duke pritur dhuratë lirinë nga të tjerët a duke u bazuar në mëshirën e armikut shekullor.

Pas luftimit në Likoshan dhe luftës epike të Jasharëve në Prekazin e Poshtëm, Lufta Çlirimtare e Kosovës veç kishte filluar dhe më nuk kishte më kthim prapa. Pushka e lirisë se Adem Legjendarit e jo frika e nënshtrimi, kishte qenë ato që gjithherë e kishte mbrojtur nderin dhe dinjitetin e kombit e të atdheut. As tani s´mund të pritej diçka tjetër. Vrasja e Komandantit Legjendar, sakrifica kolektive e tre brezave të Jasharëve, Shaban Jashari, Adem dhe Kushtrim Jashari, ishin: gjyshi, Shabani me të birin, Ademin dhe nipin, Kushtrimin, pra ishin tre breza njëherësh që ranë me pushkë në dorë për Kosovën e Lirë, për çlirimin e bashkimin e shqiptarëve.

Kjo ngjarje nuk kishte si mos të hapte një epokë të re në historinë më të re të Kosovës, të lavdisë, të tragjedisë e të madhështisë në historinë tonë më të re. Kjo luftë e madhe, ky heroizëm e flijim i madh biblik, është vepra më madhështore, luftë që i bënë Jasharët të hyjnë përjetësisht në Historinë e Kombit Shqiptar e pse jo edhe në analet e historisë së përbotshme, me një heroizëm të jashtëzakonshëm. Madhështinë e kësaj lufte e tregon më se miri flijimi i Madh i Jasharëve legjendarë për Atdheun e Lirë.

Ky flijim, në çdo përmasë të tij i kalon të gjitha flijimet tjera biblike në shkallë botërore, një rast i tillë nuk haset askund në historinë e luftërave çlirimtare.

Të gjithë dëshmorët që ranë me pushkë në dorë e këngë në gojë më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998, janë përmendore në vete në historinë tonë më të re, edhe më përmendore materiale të cilës do përmasë është tepër vështirë të pasqyrohej në përmasa reale lavdia e atyre burrave, e grave dhe e të rinjve. Ato rënie, janë, rruga dhe Drita udhërrëfyese e secilit shqiptar të Kosovës që më pastaj i orientojë ata (shqiptarët) që krejt vullnetarisht të merrnin vendimin e tyre për tu bërë ushtarë lirie në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të luftuar pa hezituar për Lirinë dhe çlirimin e Atdheut.

Armiku pas sulmit të përmasave të gjera kishte pritur se, me luftën e përmasave të mëdha mbi familjen Jashari, jo vetëm që do të shuante familjen Jashari, por do të mbillte frikën në çdo familje e njeri në Drenicë e në Kosovë, se do të përhapte tmerrin mbi gjithë shqiptarët që jetonin në trojet e pushtuara nga Federata Jugosllave dhe pas këtij tmerri, shqiptarët do të shukateshin e strukeshin dhe Kosova ngadalë por sigurt do të zbrazej nga shqiptarët që pastaj t’i hapej rruga e kolonizimit të ri serb në Kosovë. Ky edhe ishte plani e platforma e përgatitur politike e Serbisë, për ta bërë Kosovën “zemër e djep” serb me luftë, krime e gjenocid mbi shqiptarët. Por, koha tregoi se armiku “hesapet i kishte bërë pa hanxhiun”.

Shqiptarët jo vetëm që nuk u tmerruan nga frika e përmasave të artilerisë serbe, por, përkundrazi, 5, 6 e 7 marsi i vitit 1998, bëri që shqiptarët, ta mundnin frikën dhe të mobilizoheshin më shumë se kurrë më parë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me të drejt shumë kush e quan, Ushtri Çlirimtare të Adem Jasharit. Në fakt, 5, 6 e 7 marsi ia hapi të gjitha rrugët formimit, konsolidimit, organizimit e të shndërrimit të Grupeve të armatosura e më pas Njësiteve të UCK-së, në Ushtri Vullnetare Çlirimtare të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshin, Ushtria Çlirimtare që krijesa më sublime e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, për çlirim e bashkim kombëtar. Ajo, Ushtria Çlirimtare e Kosovës padyshim që edhe krijesë e hapësirave të tjera të shqiptarëve në përgjithësi e trevave të robëruara në veçanti.

Shembulli i flijimit të Jasharëve u bë burim i pashtershëm frymëzimi, mobilizimi e masivizimi për çlirim e bashkim kombëtar kudo ku jetonin shqiptarët. Lufta nisi për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve, por për shkak te konjukturave politike të të mëdhenjve ajo përfundoj me lirinë e Pavarësinë e Kosovës e cila fillimisht ishte një pavarësi e mbikëqyrur. Ky ishte kompromisi i madh i shqiptarëve dhe përtej tij as që duhet të mendoj ndokush që të shkohet. E më se paku ketë guxojnë ta bëjnë përfaqësuesit e popullit që pushtetin e kanë marr nga ai.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!