Flora Brovina thotë se e mori foton prej saj, vjen reagimi i Mevlyde Saraçit

15:19 | 17 Maj 2019

Skandali me fotografinë e publikuar nga deputetja Flora Brovina po vazhdon edhe sot.

Ish-deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, të cilën e përmend deputetja e PDK-së, Flora Brovina, si personi që ia ka dhënë fotografinë në vitin 2003, në një deklaratë për televizionin T7, ka thënë se kurrë në jetën e saj nuk e ka parë atë fotografi.

Ajo ka thënë se as nuk e ka idenë se për çfarë zarfi e ka pasur fjalën deputetja Flora Brovina.

“Kurrë atë fotografi se kam pa. Jam marrë me të drejtat e njeriut. Në përgjithësi, jo me gratë e dhunuara në luftë. Më erdhi befasi kjo pyetje. Vetë Flora ka qenë kryetare e Komisionit për të Zhdukur, unë anëtare. Se di për çfarë zarfi ka folë”, ka thënë ajo në një bisedë për T7.

Ndërsa Flora Brovina në një konferencë të sotme për media, pas intervistimit që i ka bërë asaj Prokuroria në cilësinë e të dyshuarës, pretendon se fotografinë në zarf ia ka dhënë Mevlyde Saraçini në vitin 2003.

Brovina ka thënë se në këtë mes është i involvuar edhe një person tjetër, që i ka thënë se mund ta përdor fotografinë, por që nuk ia kujton emrin, dhe thotë se ka qenë aktivist për të drejtat e njeriut.

Komento: