Deputetja e PDK’së, Flora Brovina, ka thënë se fotografinë që e ka publikuar dje në Kuvendin e Kosovës, ia ka dhënë një kolege e saja në vitin 2003, konkretisht ish-deputetja e LDK-së Mevlyde Saraqi, që në atë kohë ka mbajtur postin e nënkryetares së Komisionit për Persona të Zhdukur.
Ndërkohë Brovina për rastin e fotografisë e përmend edhe një tjetër person që është i involvuar e që nuk ia mbanë mend emrin. Thotë që ka qenë aktivist për të drejtat e njeriut.
Ajo thotë që nuk beson që një fotografi mund të kishte qenë e falsifikuar.
“Kurrë skam mëndu që dikush mund të më sjellë dokumente që nuk janë të verifikuara dhe të sakta, prandaj dhe me guxim e kam përdorur, dhe me të drejtë, sepse shumica e dhunimeve në Kosovë kanë pasur pozita të ngjashme mos të themi identike. Nuk kam besua që ky dokument mund të jetë diçka që nuk mund të jetë i saktë”, ka thënë ajo, raporton express.
“Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit. Për të gjitha rastet.” Thotë Brovina.
Ajo ka shpjeguar se fotografinë në vitin 2003 në zarf ia ka dhënë Mevlyde Saraqi, atë kohë nënkryetare e Komisionit për të Zhdukurit.
“ këtë dokument ma ka dhënë në vitin 2003, nënkryetarja e Komisionit për persona të Zhdukur. Në vitin 2003. Këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve të tjera. Tani mas kaq kohe të quhet dokument i falsifikuar më vjen shumë keq, por qëndroj edhe për fajësinë time, që nuk e kam verifikuar deri në momentin e fundit. E kam prej vitit 2003. Kam pas informatën e saktë prej këtyre dy personave më të cilët e kemi ndarë të vërtetën. Ngjarja ka ndodhur diku në Dukagjin.. për tjetër rast është në Vushtri. Personi në fjalë ka qenë aktivist i këshillit për të drejtat e njeriut, nënkryetarja Mevlyde Saraqi, kolege e imja, me të cilën kemi bërë shumë punë të mëdha”. Këtë rast ajo ma ka pru me zarf, dhe m’ka thanë që kjo grua është 35 vjeçare dhe e di rastin. Ndërsa personin tjetër e kam pyet, se a mund ta përdori, ai më ka thënë po, se e kam verifikimin”, ka thënë ndër të tjera.