Fluks i madh në ë Aeroportin ‘Adem Jashari’, Kosova po boshatiset

00:01 | 21 Prill 2019

Kosova po boshatiset, pasi që qytetarët po kërkojnë jetë më të mirë.

Kohëve të fundit është shënuar rritje e numrit të qytetarëve që po ikin masivisht nga Kosova drejt shteteve të huaja, në kërkim të një jete më të mirë.

Për dallim nga vitet 2014-2015, kur mijëra qytetarë migruan ilegalisht në shtetet perëndimore, kësaj radhe, ata po pajisen me viza, shkruan Indeksonline.

Çdo ditë të punës, para Ambasadave të huaja në Kosovë, qindra qytetarë presin të marrin viza, derisa prin interesimi për të shkuar në Gjermani.

Se numri i qytetarëve që po ikin nga Kosova është rritur, e konfirmojnë edhe shifrat e udhëtarëve që po shfrytëzojnë fluturimet përmes Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Kështu ka bërë të ditur zyrtari për informim në Aeroportin e Prishtinës, Unidon Krasniqi ka dhënë për Indeksonline.

Sipas tij, këtë fillimvit ka pasur rritje të numrit të udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroportin ‘Adem Jashari’ për të udhëtuar.

“Gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti kemi shërbyer 476,156 udhëtarë në total, 224,273 dhe 251,883 në arritje dhe në nisje respektivisht. Në krahasim me 3 mujorin e parë të vitit të kaluar është shënuar një rritje prej 14%”, ka thënë Krasniqi.

Ky numër i madh i udhëtarëve, sipas zyrtarit të aeroportit ka më së shumti interesim për të shkuar në shtetin e Zvicrës dhe Gjermanisë.

“Sa i përket destinacioneve, Zvicra mbetet shteti me numrin më të madh të udhëtarëve nga dhe për në ANP “Adem Jashari”, pasuar nga Gjermania”, ka përfunduar Krasniqi.

Kujtojmë se dje Indeksonline raportoi edhe për ikjen ilegale të qytetarëve, të cilët po shfrytëzojnë autobusët e veturat për të dal në shtetet tjera, derisa disa prej tyre po hasin probleme me policinë kroate.

Në hulumtimin e para disa ditëve që ngjalli reagime të shumta te liderët e shtetit, shtresa politike, shoqëria civile dhe qytetarët, thuhej se vetëm Ambasada Gjermane në Prishtinë, gjatë vitit të kaluar ka lëshuar rreth 38 mijë viza për qytetarët me qëndrime afatshkurtra.

Komento: