
Flying Tiger Copenhagen hyri në tregun shqiptar në tetor 2025, duke sjellë një koncept që kombinon dizajnin danez, funksionalitetin dhe çmimet e aksesueshme. Në këtë intervistë, Silvio Qyqja, Drejtor i Përgjithshëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor, flet për pritjen e markës nga konsumatorët shqiptarë, mësimet e vitit të parë, investimin në ekipet lokale dhe planet për zgjerimin e mëtejshëm në rajon dhe tregjet evropiane.
Flying Tiger Copenhagen hyri në tregun shqiptar në tetor 2025, si pjesë e strategjisë së zgjerimit të kompanisë. Cilët ishin faktorët kryesorë që e bënë Shqipërinë dhe rajonin tërheqës për investim dhe si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit deri më tani?
Silvio Qyqja: Shqipëria dhe tregjet e rajonit përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm zhvillimi, të mbështetur nga një konsumator relativisht i ri, i hapur ndaj markave ndërkombëtare dhe gjithnjë e më i orientuar drejt produkteve që kombinojnë cilësinë, dizajnin dhe çmimin e arsyeshëm.Në këtë kontekst, besuam se koncepti i Flying Tiger Copenhagen kishte një përshtatje të natyrshme me tregun. Ne sjellim një gamë shumë të gjerë produktesh, të ndërtuar mbi dizajnin danez, funksionalitetin dhe kreativitetin, duke ruajtur çmime të aksesueshme për një bazë të gjerë konsumatorësh.
Zhvillimi i Flying Tiger Copenhagen mbështetet gjithashtu nga eksperienca dhe kapacitetet e BALFIN Group, si një prej grupeve më të rëndësishme të investimeve në rajon. Për ne, kjo përbën një bazë të fortë për të ndërtuar një prani të qëndrueshme dhe afatgjatë në tregjet ku operojmë.Ecurinë e deritanishme në Shqipëri e vlerësojmë pozitivisht. Mënyra se si është pritur marka dhe interesi i konsumatorëve kanë qenë inkurajuese dhe na kanë dhënë besim për të vijuar zhvillimin tonë. Zgjerimi edhe jashtë Tiranës është një tregues i kësaj qasjeje dhe i potencialit që shohim në tregun shqiptar në një perspektivë afatgjatë.
Flying Tiger Copenhagen njihet për kombinimin e dizajnit danez, funksionalitetit dhe çmimeve të aksesueshme. Si është pritur ky koncept nga konsumatori shqiptar dhe në çfarë mënyre përshtatet ai me mënyrën e blerjes dhe stilin e jetesës në rajon?
Silvio Qyqja: Një nga karakteristikat e Flying Tiger Copenhagen është se, pavarësisht identitetit të tij të qartë danez, koncepti është lehtësisht i kuptueshëm dhe i përshtatshëm për tregje të ndryshme.
Në Shqipëri dhe në rajon, familja, shtëpia, dhuratat dhe momentet e kaluara së bashku kanë një rëndësi të veçantë. Një pjesë e konsiderueshme e gamës sonë lidhet pikërisht me këto momente: nga produktet për shtëpinë dhe fëmijët, te artikujt krijues, festat, dhuratat apo aktivitetet që mund të zhvillohen së bashku me familjen dhe miqtë.
Konsumatori vendas ka reaguar mirë edhe ndaj mënyrës se si ne e trajtojmë dizajnin. Edhe një produkt relativisht i thjeshtë mund të ketë një element krijues, funksional apo të papritur.
Kjo i jep më shumë vlerë përvojës së blerjes dhe është në përputhje me filozofinë tonë.
Zgjerimi në tregje të reja nuk lidhet vetëm me hapjen e dyqaneve, por edhe me ndërtimin e një strukture të qëndrueshme operacionale dhe organizative. Si po zhvillohet prania e kompanisë dhe çfarë roli kanë investimet në ekipet dhe kapacitetet lokale në këtë strategji?
Silvio Qyqja: Për ne, zgjerimi nuk matet vetëm me numrin e dyqaneve. Që një biznes të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, duhet të ndërtohen paralelisht strukturat, proceset dhe ekipet që mund ta mbështesin këtë rritje në afat të gjatë.
Flying Tiger Copenhagen aktualisht operon në katër tregje dhe plani ynë është që deri në fund të vitit 2027 të jemi të pranishëm në gjashtë tregje.
Kjo rritje kërkon investime jo vetëm në rrjetin e dyqaneve, por edhe në organizatë, në ekipet lokale dhe në ndërtimin e kapaciteteve që mund të mbështesin zhvillimin e biznesit në secilin treg.
Kemi nevojë për ekipe që njohin tregun, kuptojnë konsumatorin dhe njëkohësisht janë në gjendje të zbatojnë standardet dhe kulturën e një marke ndërkombëtare si Flying Tiger Copenhagen.
Në të njëjtën kohë, operimi në disa tregje na mundëson të ndajmë përvojat, të ndërtojmë procese më efikase dhe të krijojmë një strukturë që mund të mbështesë jo vetëm rritjen aktuale, por edhe zgjerimin e mëtejshëm gjatë viteve të ardhshme.
Pas pothuajse një viti aktiviteti në Shqipëri, cilat janë mësimet kryesore që keni marrë nga tregu? A ka pasur elemente që ju kanë surprizuar në sjelljen e konsumatorit, performancën e kategorive të produkteve apo mënyrën se si është perceptuar marka?
Silvio Qyqja: Një nga mësimet kryesore ka qenë se konsumatori shqiptar e ka kuptuar relativisht shpejt konceptin e Flying Tiger Copenhagen.
Marka është pritur mirë nga profile shumë të ndryshme konsumatorësh, gjë që konfirmon se produktet tona nuk kufizohen në një kategori apo grupmoshë të caktuar.Kemi parë interes si për produktet funksionale të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe për kategoritë me një element më të fortë krijues, dekorativ apo argëtues.
Gjithashtu, koleksionet sezonale dhe produktet që lidhen me momente specifike të vitit kanë treguar se konsumatori shqiptar reagon mirë ndaj risisë dhe ndryshimit të vazhdueshëm të produkteve tona.Një tjetër element pozitiv është gatishmëria e konsumatorit për t’u rikthyer në dyqan.
Për ne kjo është shumë e rëndësishme, sepse një pjesë themelore e konceptit është pikërisht zbulimi: dyqani duhet të ofrojë vazhdimisht arsye të reja për t’u vizituar.
Sektori i shitjes me pakicë po transformohet me shpejtësi, i ndikuar nga digjitalizimi, ndryshimi i sjelljes së konsumatorit dhe rritja e vëmendjes ndaj qëndrueshmërisë. Si po i adreson Flying Tiger Copenhagen këto zhvillime dhe cilat konsideroni prioritetet kryesore strategjike për vitet e ardhshme?
Silvio Qyqja: Sjellja e konsumatorit po ndryshon dhe, bashkë me të, po ndryshon edhe roli i dyqanit fizik.
Ne besojmë se dyqani vazhdon të ketë një rol qendror, veçanërisht për një koncept si Flying Tiger Copenhagen, ku kontakti me produktin, prezantimi dhe elementi i zbulimit janë pjesë e rëndësishme e përvojës.
Nga ana tjetër, kanalet digjitale na mundësojnë ta zgjasim këtë marrëdhënie edhe përtej vizitës në dyqan.
Ato janë një mjet i rëndësishëm për të prezantuar produktet dhe koleksionet e reja, për të krijuar frymëzim dhe për të komunikuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë me konsumatorin.
Qëndrueshmëria është gjithashtu një drejtim që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për industrinë. Kjo lidhet me mënyrën se si mendohen produktet, materialet, paketimi dhe proceset e operimit.Për tregjet ku operojmë sot dhe ato ku synojmë të zgjerohemi, prioritetet tona mbeten zhvillimi i kujdesshëm i rrjetit, konsolidimi i markës, përmirësimi i vazhdueshëm i përvojës së konsumatorit dhe ndërtimi i kapaciteteve që na mundësojnë të rritemi në mënyrë të qëndrueshme.
Duke parë përpara, cili është vizioni juaj për zhvillimin e Flying Tiger Copenhagen gjatë viteve të ardhshme?
Silvio Qyqja: Ambicia jonë është që Flying Tiger Copenhagen të ndërtojë një prani të fortë dhe afatgjatë në tregjet ku operojmë dhe, njëkohësisht, të vijojë zgjerimin edhe drejt tregjeve të reja europiane.
Aktualisht jemi të pranishëm në katër tregje dhe synimi është që deri në fund të vitit 2027 të operojmë në gjashtë tregje. Paralelisht, po shikojmë mundësinë e zgjerimit të aktivitetit edhe në tre tregje të Bashkimit Europian, çka e vendos zhvillimin e kompanisë në një perspektivë më të gjerë se vetëm rajoni ku kemi nisur aktivitetin.