Forma e Benzemas shqetëson Francën, Nkunku dëmtohet në stërvitje nga Camavinga

23:14 | 15 November 2022

Francën e shqetëson forma e Benzemas, Nkunku dëmtohet në stërvitje nga Camavinga.

Franca ka programuar nisjen për në Katar ditën e mërkurë, mirëpo në seancën e fundit stërvitore, trajneri Didier Deschamps mori disa sinjale negative nga dy sulmuesit e tij, Christopher Nkunku dhe Karim Benzema.

Lojtari i RB Leipzig u detyrua të linte stërvitjen përgjysmë ndërsa u pa duke çaluar për shkak të një problemi në këmbën e majtë.

Ai kishte një duel në stërvitje me Eduardo Camavinga, ku u rrëzua në fushë, ndërsa të gjithë lojtarët u afruan tek ai.

Pritet që në orët e ardhshme, sulmuesi t’i nënshtrohet testeve të cilat mund të përcaktojnë edhe shkallën e dëmtimit si dhe nëse bëhet fjalë për diçka serioze që mund të vinte në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës.

Nga ana tjetër, një “shije të hidhur” lë edhe gjendja fizike e Karim Benzemas.

Fituesi i ‘Topit të Artë’, gjithashtu u largua para kohe nga stërvitje i shoqëruar nga fizioterapisti i kombëtares.

Sulmuesi i Real Madrid prej disa kohësh vuan shqetësimet fizike, megjithatë në këtë rast, sipas menaxherit të lojtarit bëhet fjalë thjesht për një kujdes dhe program të veçantë që ndjek Benzema.

Prezenca e tij në ndeshjen hapëse të Botërorit pritet të mos vendoset në diskutim.

“Gjelat” nisën rrugëtimin e tyre drejt mbrojtjes së trofeut e nisin më datë 22 nëntor ndaj Australisë teksa janë shortuar në Grupin D së bashku me Danimarkën dhe Tunizinë.

Komento: