Ja formacioni i frikshëm i Interit për sezonin e ri.
Në Apiano Gentile kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ri, me Serie A që do të marrë jetë të shtunën ndaj Monzës në “San Siro”.
Zikaltrit do të luftojnë në tri fronte: në kampionat, Champions League dhe Kupën e Italisë dhe Inzaghi duhet t’i bëjë llogaritë për të pasur gjithmonë në formë skuadrën, mes kalendarit të ngjeshur dhe dëmtimeve, por edhe pas një merkatoje që ka parë hyrje dhe dalje dhe që ka sjellë jo pak ndryshime në organikë.
Largimet e lojtarëve në skadencë kontrate kanë qenë të shumta (Handanovic, Shkriniar, D’Ambrosio, Gagliardini, Dzeko), ashtu si shitjet e lojtarëve të rëndësishëm brenda dhe jashtë fushës (mosgjetja e akordit me Lukakun, largimet e Brozovic, Onana, Gosens), lëvizje këto që kanë lënë jo pak shenjë në ekipin zikaltër. Pavarësisht kësaj, drejtuesit janë përpjekur të kufizojnë sa më shumë dëmet falë emrave që kanë sjellë në skuadër. Afrimet e Sommer, Audero, Yan Biseck, Carlos Augusto, Frattesi, Thuram e Arnautovic kanë mbushur hapësirat e lëna bosh, por Simone Inzaghi duhet ende t’i përshtatë me mekanizmat zikaltër, për të bërë që makineria “Inter” të funksionojë në mënyrën e duhur.
FORMACIONI TIP – Si një besnik i 3-5-2-shit dhe titullarëve të tij, trajneri zikaltër pritet të jetë edhe këtë vit larg eksperimenteve, duke pasur një formacion tip gjatë gjithë sezonit. Përveç Sommerit, që do të jetë padyshim portieri i parë, në kushtet në të cilat ndodhet tani mbrojtja, Bastoni, Acerbi e Darmian do të jenë titullarët. Në mesfushë përveç të zakonshmëve Calhanoglu-Barella-Mikhitarian në qendër, Dumfries e Dimarco do të jenë në korsi. Thuram nuk ka bindur deri më tani, por do të jetë i zgjedhuri krah liderit Lautaro.
BALOTAZHET – Ka disa pika në të cilat pritet të ketë dyshime për trajnerin. Një nga pikëpyetjet më të mëdha është në krahun e djathtë të mesfushës. Ajo që ka treguar Kuadrado kërcënon dukshëm Dumfries dhe kolumbiani nuk përjashtohet t’i marrë vendin e titullarit holandezit. Një tjetër blerje e re si Frattesi, që ka qenë absolutisht njeriu më në formë i Interit në këtë fazë përgatitore, mund të jetë kërcënues për Mikhitarianin, pasi italiani ka treguar në kombëtare se mund të funksionojë mirë në çift me Barella. Në fund një nga pasiguritë më të mëdha i përket shokut të repartit të Lautaros. Edhe pse Thuram është projektuar të jetë titullar, forma e tij e deritanishme mund të bëjë që Arnautovic t’i marrë vendin, ndoshta deri në përshtatjen e tij.