
Kombëtarja e Kosovës do të zhvilloj sonte ndeshjen e katërt në kuadër të kualifikimeve për Botëror “Katar 2022”.
Dardanët pas fitores historike ndaj Gjeorgjisë tre ditë më parë, do të kërkojnë fitoren e dytë në këto kualifikime sonte ndaj Greqisë, të paktën për të “blinduar” pozitën e tretë në tabelë.
Trajneri Challandes në konferencë për shtyp para ndeshjes ka konfirmuar Elbasan Rashani është në dyshim për këtë ndeshje pasi mori një goditje në ndeshjen e kaluar, gjersa portieri Visar Bekaj ka testuar pozitiv me COVID dhe është futur në izolim.
Lajm i mirë për “dardanët” është rikthimi në skuadër i Milot Rashicës, i cili do të jetë i gatshëm për këto dy ndeshjet e ardhshme të shtatorit, dhe me shumë gjasa mund të startoj sonte nga minuta e parë, duke i parë edhe dyshimet e Rashanit shkaku i lëndimit.
Formacioni i mundshëm i Kosovës përballë Greqisë është ky:
Muric; Hadergjonaj, Aliti, Rrahmani, Vojvoda; Dresevic, Halimi: Kastrati, Berisha, Rashica; Muriqi.
Kosova deri tani në këto kualifikuese pas tre ndeshjeve ka dy humbje dhe një fitore të arritur së fundit, duke u pozicionuar e treta në tabelë me tre pikë, pas Suedisë e Spanjës, gjersa rivali i sotëm i Kosovës, Greqia në dy paraqitje të zhvilluara deri tani ka dy barazime, të arritura ndaj Gjeorgjisë dhe Spanjës, duke u pozicionuar e katërta me tabelë me dy pikë.
Kosovës i duhet patjetër një fitore sonte nëse dëshirojnë të forcojnë së paku vendin e tretë në tabelë.
Ndeshja fillon nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe do të jetë e lejuar me vetëm 10% të tifozëve, ka konfirmuar FFK.