
Ende nuk është formuar Qeveria e re e Kosovës.
Mbledhja e parlamentit të Kosovës që u mbajt të enjten më shumë thelloi sesa qartësoi rrugën e ngritjes së institucioneve të reja.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës, i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër, në këshillim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme.
Të premten, presidenti Hashim Thaçi, ftoi kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për një takim në orën 13:30 për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë.
Por në lëvizjen Vetëvendosje thanë se “zoti Kurti e ka të pamundur ta takoj sot presidentin, meqë ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thanë në këtë lëvizje.
Më pas presidenti Thaçi, nisi në ftesë të dytë për zotin Kurti duke caktuar një takim për në orën 20:00.
“Unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos e vonojnë krijimin e qeverisë. Qytetarët dhe aleatët tanë presin më shumë”, shkroi presidenti Thaçi.
“Ju faleminderit për dy ftesat e sotme që të takohemi sot, ftesa këto që fillimisht publikoheshin nëpër portale pastaj mbërrinin në zyrën tonë. Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim… thuhet në një letër që Kurti i kishte dërguar gjatë ditës presidentit Thaçi.