Foshnja ndërroi jetë gjatë lindjes, pas saj vdes edhe nëna në QKUK

14:40 | 11 February 2019

Foshnja ndërroi jetë gjatë lindjes, nëna nga Peja vdes disa orë më vonë në QKUK.

Një rast i rëndë ka ndodhur në dy institucione të ndryshme. Foshnja ka ndërruar jetë gjatë lindjes në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ndërsa nëna vdes disa orë më vonë në QKUK.

Një nënë e dy fëmijëve shkoi të shtunën rreth orës 14:00 në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për të sjellë në jetë fëmijën e tretë. Nënës pothuajse ishte “çelur” dhe e gatshme për të kryer lindjen. Rreth dy orë më vonë foshnja kishte ardhur, por fatkeqësisht pa shenja jete, shkruan Gazeta Shneta.

Drejtori i Spitalit të Pejës, Dr. Skender Dreshaj, ka deklaruar për Gazetën se nënës i ishte dhënë një infuzion me glukozë për t’i dhënë energji gjatë lindjes. Sipas tij, komplikimet kanë ndodhur gjatë procesit, e dyshimet e para janë se ka pasur rupturë, ose çarje të mitrës. Ai ka treguar se gruas i është hequr mitra, por gjakderdhja nuk i është ndalur.

“Lindja ka zgjatur rreth 2 orë dhe foshnja ka lindur e vdekur. Gjakderdhja ka ndodhur gjatë lindjes që mendohet të jetë shkaktuar nga ruptura/çarja e mitrës. Pas humbjes së faktorëve të koagulimit të gjakut, mjekët nuk kanë mundur ta ndalin gjakderdhjen”, ka deklaruar Dreshaj.

“Të gjithë mjekët janë mbledhur, gjinekologë, kirurgë, anesteziolog, kanë punuar 4-5 orë por nuk kanë mundur me ndal gjakderdhjen. Pëlcitja e mitrës është e njohur si memece, dmth shoqërohet pa dhimbje. Qasja e personelit ka qenë profesionale, asnjë specialist nuk ka munguar dhe as nuk kanë munguar materialet e nevojshme. Nuk ka pasur asnjë lëshim procedural”, ka thënë Dreshaj.

Vdekjen e nënës në QKUK në kujdesin intensive e ka konfirmuar edhe Zyra për Media e SHSKUK-së.

“Zyra për informim në QKUK ju konfirmon se të dielën në ora 1.40 të mëngjesit, në mjekimin intensiv QKUK është pranuar një grua nga Peja. Përkundër masave reanimatore nga mjekët dhe stafi i intensives qendrore, si pasojë e gjendjes tejet të rëndë, gruaja nuk ka arritur të mbijetojë”, thotë QKUK.

Trupi i pajetë i nënës është dërguar për obduksion, ndërsa drejtori i Spitalit të Pejës ka thënë se do të dërgohen për analiza edhe mitra, placenta dhe trupi i foshnjës.

Komento: