Fotografia e përbashkët ku mungoi Sveçla, i mbeti hatri dhe i qortoi organizatorët

22:51 | 20 Qershor 2022

Qeveria e Kosovës ishte nikoqire e takimit të tetë të qeveritarëve nga Kosova e Shqipëria.

Punët organizative, te vendi i takimit, filluan qysh në mëngjes.

Kah duhet të shtrohet tepihu i kuq, u kuptuan me të parën organizatorët.

Por, siç duket, dilemë e madhe ishte se ku duhet të qëndrojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ai i Shqipërisë, Edi Rama, kur të intonohen himnet.

Për këtë u bënë goxha diskutime.

Por, vend të sigurt në ceremoninë hyrëse të mbledhjes së tetë të dy qeverive pati garda kombëtare, që erdhi më shumë se një orë para se këtu të jenë mysafirët.

Në të njëjtën kohë, në vendin e caktuar për takim mbërritën edhe marrëveshjet, të cilat qe arsyet e takimit të dy qeverive.

Ngadalë dal dale nisën të mblidhen edhe ata që kanë për ti nënshkruar ato. Ministrat e qeverisë së Kosovës, zgjedhën që disa të shkojnë me kolegë, e të tjerë vetëm.

E mysafirët erdhën të gjithë bashkë, me minibus.

Organizimi po se po, por zyrtarët policor edhe u mobilizuan fort kur këtu mbërriti eskorat e kryeministrit Albin Kurit. Ky derisa e priste homologun nga Shqipëria u pa i interesuar të dijë për përgatitjet.

E kur kryeministri Edi Rama erdhi, bashkë bënë parakalimin.

Rrugë kjo që përfundoi me buzëqeshje e përqafim mes tyre.

Takimi mes qeverive zgjati më shumë seç ishte planifikuar, kjo mbase nxiti dëshirën e ministrave për kafe e muhabet mes vete.

Por, edhe për fotografi po.

Për këto veprim, kryeministri Rama kritikoi ministrat.

Bile, Rama kërkoi një ministër specifik kur erdhi koha të fotografia e përbashkët.

Bledar Çucin e kishte afër vetës, por Xhelal Sveçlën nuk e gjeti.

Këtij të fundit mbase edhe i mbeti merak që nuk u bë pjesë e fotografisë kryesore, andaj edhe qortoi organizatorët që nuk e thirrën.

Më vonë tha se në kohën kur u bë fotografia, ky nuk ishte i lirë.

Komento: