France Football e ‘çon në qiell’ Arbër Zenelin

12:15 | 18 Shkurt 2019

France Football i ka kushtuar një artikull lojtarit me të mirë të Kosovës, Arbër Zenelit.

Revista prestigjioze javore me bazë në Paris, France Football e ka lartësuar paraqitjen e Arbër Zenelit për Stade de Reims si ndër më të mirat e javës së 25-të në Ligë 1. Në analizën javore të ligës elitare franceze, revista franceze paralajmëron se ky është vetëm fillimi për lojtarin e energjik dhe të talentuar kosovar.

Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës, Arbër Zeneli, kompletoi kalimin nga Heerenveni në Reims në fund të afatit kalimtar dimëror, duke u larguar nga liga elitare holandeze, Erevisie, si asistuesi më i mirë, me nëntë asiste dhe tri gola në 17 paraqitje, shkruan Gazeta Express.

Zenelit, natyrisht, i duhet kohë për t’u përshtatur me futbollin në ligën e re, por revista franceze – e cila e ndan edhe çmimin më prestigjioz indivual në futboll, Topin e Artë – është e sigurt për një gjë: përfaqësusi kosovar është plot talent.

Që prej mbërritjes së tij në Reims më 26 janar, 23-vjeçari ka luajtur 18 minuta kundër Olympic Marseille dhe 6 kundër Toulouse.

Por, këtë fundjavë kundër Rennes, trajneri David Guion e futi atë në lojë në minutën e 55-të në vend të Mathieu Cafaro. Zëvendësimi doli të ishte tejet i suksesshëm.

Pak sekonda pasi u fut në lojë, Zeneli qëlloi shtyllën me një goditje të fuqishme nga rreth 30 metra largësi. Pak më vonë, ai bëri asistin e parë në Ligë 1, duke ia përgatitur golin Oudinit në fitoren 2:0 të Reims.

France Football e vlerëson lart paraqitjen e kosovar, të cilin e quan të shpejtë, energjik dhe plot talent.

“Energjik, teknik dhe vullnetar, një futbollist që ishte në radarin e shumë klubeve evropiane, përfshirë Chelseat, ka bërë punë të mirë në kampionat. Dhe, natyrisht, ky është vetëm fillimi”, shkroi France Football për Zenelin.

Komento: