Frashër Krasniqi ia kujton VV-së se kur merrnin deputetë nga PDK-ja nuk flisnin për vjedhje mandatesh – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Frashër Krasniqi ia kujton VV-së se kur merrnin deputetë nga PDK-ja nuk flisnin për vjedhje mandatesh

09:35 | 30 Dhjetor 2018

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka thënë se kur VV-ja merrte deputetë nga PDK-ja nuk fliste për vjedhje mandatesh.

PSD së fundi i është bashkuar ekipit shtetëror të dialogut me Serbinë. Kjo parti ka votuar në parim edhe Projekt-buxhetin për vitin 2019-të. E këto veprime ata i bënë në këmbim të plotësimit të pesë kushteve drejtuar kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt.

Pas këtij bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës, u shtuan zëra se PSD-ja mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës. Por, këtë po e mohon deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se PSD-ja nuk do të jetë pjesë në një Qeveri e cila sipas tij, i ka shkaktuar dëme Kosovës dhe në një Qeveri ku është PDK-ja.

“PSD-ja nuk do të jetë pjesëmarrëse në një Qeveri ku është Partia Demokratike e Kosovës. Këtë qëndrim e kemi të qartë, jo pse kemi inate partiake apo personale, por për shkak të dëmeve që i janë shkaktuar Kosovës në dhjetë vitet e fundit. PDK-ja fillimisht duhet të shkojë në opozitë. Ne nuk do të bëhemi pjesë e Qeverisë, këtë e kemi thënë prej fillimit, deri sot nuk jemi bë dhe nuk do të bëhemi as pas një viti pa u ndërruar kjo qeverisje ku PDK-ja nuk do të ishte pjesë”, tha ai.

Ai i është kundërpërgjigjur Vetëvendosjes në lidhje me akuzat që këta të fundit ia bënë PSD-së duke thënë se mandatet i kanë siguruar sa ishin në Vetëvendosje. Krasniqi ka thënë se ata nuk reaguan atëherë kur deputeti Ismail Kurteshi kaloi nga PDK-ja në VV.

“E vërteta në këtë mes është që Vetëvendosje nuk e ka thënë të njëjtën gjë edhe për PDK-në ose për ndonjë anëtar qoftë të PDK-së, qoftë të dikujt tjetër që ka kaluar në VV, pse atëherë nuk e kanë thënë të njëjtën edhe për Ismajl Kurteshin që ka kaluar prej PDK-së në VV sa ka qenë deputet. Atëherë nuk paska qenë vjedhje, tash qenka vjedhje e mandatit. Këto nivele të diskutimeve unë nuk jam i interesuar me ra, a ka qenë vjedhje a jo do ta marrim vesh në zgjedhjet e ardhshme. Subjektet opozitare t’i lënë anash këto nivele të ulëta diskutimi dhe të bëhen bashkë sepse është shans që opozita me qenë faktori kyç dhe vendimmarrës në krejt procesin e dialogut”, tha Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.

Krasniqi ka folur edhe në lidhje me akuzat se PSD-ja po i bënë shërbim Presidentit të vendit, Hashim Thaçit. Ai tha se PSD-ja ka arrit me i bë disa gjëra që nuk kanë arrit t’i bëjnë subjektet opozitare edhe pse i kanë kërkuar gjatë gjithë kohës. Këtu ai ka përmendur kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“PSD qysh e ka thënë edhe më herët, e ka propozuar një Projektligj i cili shumë shpejtë do të vijë në kuvend, i cili procesin e negociatave e merr prej një personi dhe e qet tek kuvendi. Nëse kjo nënkupton me i bë një shërbim presidentit, atëherë ne nuk e di çfarë shërbimi i kemi bë ne duke ia kufizuar mandatin e tij. Negociata është ajo që e kemi bë ne, të cilën e kanë kërkuar edhe dy subjekte më herët e që ka të bëjë me udhëheqjen e dialogut nga kuvendi. Në qoftë se për inate partiake ata refuzojnë që ta pranojnë një fakt të tillë, ne nuk kemi çfarë i bëjmë”, tha Krasniqi.

Komento: