Frashër Krasniqi: Me ardhjen e Kurtit në pushtet u ndërtua një iluzion se qeverisja e tij do të ishte e përkohshme

23:56 | 15 Janar 2026
Frashër Krasniqi: Me ardhjen e Kurtit në pushtet u ndërtua një iluzion se qeverisja e tij do të ishte e përkohshme

Aktivisti politik nga Partia Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka deklaruar në Adresa se për ta kuptuar drejt se çfarë po i ndodh Kosovës, analiza duhet të shkojë përtej zhvillimeve të nëntë muajve të fundit dhe të nisë nga viti 2021 e tutje, shkruan Gazeta 10.

Sipas Krasniqit, kushdo që e ka analizuar politikën kosovare në këtë periudhë, e ka kuptuar se Albin Kurti nuk përfaqëson një individ të vetëm, por një lëvizje politike që ka ardhur “aksidentalisht” në pushtet dhe që, sipas tij, nuk rrëzohet thjesht duke u lënë të qeverisë.

“Kurti nuk është një person, është një lëvizje që vie aksidentalisht edhe që ka me ra vet veç leje me qeverise, leja qeverinë në dorë dhe ai ka me ra vet”, ka thënë Krasniqi në Adresa.

Ai thekson se ardhja e pushtetit në vitin 2021 ka pasur elemente të qarta të një pushteti autoritar, i cili nuk largohet lehtë nga skena politike, pavarësisht rënieve të përkohshme elektorale. Duke u bazuar në analiza historike dhe në përvojat ndërkombëtare, Krasniqi ka deklaruar se pothuajse të gjitha pushtetet autoritare në botë kanë kaluar një fazë rënieje pas mandatit të parë, por më pas janë rikthyer edhe më fuqishëm.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodh, as në Kosovë e as në botë. Thuajse pa përjashtim, këto pushtete pas një rënieje të lehtë, rikthehen më të forta”, ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit, ajo që e ka pamundësuar kuptimin e plotë të situatës në Kosovë ka qenë ndërtimi paralel i një iluzioni se pushteti i Kurtit është i përkohshëm dhe se opozita duhet vetëm ta tolerojë atë, duke pritur që qytetarët vetë ta kuptojnë natyrën e qeverisjes.

“Kjo qasje e ka dëmtuar seriozisht aftësinë për ta kuptuar se çfarë po i vjen Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi./Gazeta 10

Dekalrata e plotë:

Komento: