Frika nga humbja e votave, partitë nuk e përmendin liberalizmin e vizave

09:13 | 21 September 2019

Kosova do t’i mbaj zgjedhjet e parakohshme me 6 tetor.

Premtimet e partive politike për çështje dhe fusha të ndryshme, tashmë ka javë që kanë nisur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Ndonëse shumë premtime janë dhënë, partitë politike deri më tani nuk e kanë përmendur liberalizimin e vizave, si premtim që mund të realizohet.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka vlerësuar së liberalizimit të vizave, si premtim zgjedhor nga partitë politike, tashmë është pasojë e vet historikut të procesit të liberalizimit të vizave gjatë viteve të kaluara, e në veçanti gjatë vitit të kaluar.

Ai ka thënë se liberalizimi i vizave për partitë politike është kthyer në rrezik elektoral, i cili mund të dëmtojë, pasi që i ka humb besimi i qytetarëve në këto premtime.

“Çështja e liberalizimit të vizave është përdorur si premtim qoftë zgjedhor apo jo zgjedhor nga politikanë për kohë të gjatë dhe janë bërë një numër i premtimeve joreale jo të qëndrueshme, të cilat kanë dalë të pasakta, të cilat e kanë humbur besimin e qytetarëve në këto premtime”.

“Sa i përket gjendjen se ku jemi me liberalizim. Për dallim nga viti i kaluar, sot liberalizimi i vizave është kthyer nga një premtim zgjedhor, i cili potencialisht mund sjellë vota, është kthyer në rrezik elektoral i cili mund të dëmtojë, pasi që i ka humb besimi i qytetarëve në këto premtime. Tani sa i përket këtij viti, shpresa janë minimale që të ketë vendimmarrje për liberalizimin e vizave”, ka thënë Shasha.

Njëjtë mendon edhe analisti politik, Bekim Baliqi. Thotë se kjo temë është konsumuar në masë të madhe në zgjedhjet e kaluara, dhe prandaj vlerëson se partitë po e anashkalojnë këtë premtim.

“Është konsumuar pasi që në zgjedhjet e mëhershme është përmendur, janë dhënë data, janë dhënë premtime konkrete se kur do të liberalizohen dhe kjo nuk ka ndodhur. Mendoj se kjo është shtjerrë dhe mund të jetë kundër produktive për ato parti që kanë premtuar deri më tani. Kështu që mendoj se çështja e liberalizimit të vizave me qëllim anashkalohet, pasi që premtimet nuk janë realizuar”.

Gjatë një interviste për EO, Baliqi ka thënë se preokupimi i qytetarëve është lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, prandaj, politika po zhvendosë vëmendje te këto dy çështje.

“Unë mendoj se ata e kanë parë që kjo temë ka qenë e ndërlidhur dhe prandaj mendoj që preokupimi i qytetarëve është lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe mendoj se nuk është brenga kryesore liberalizimi”.

“Dhe për këtë unë mendoj se e kanë zhvendosur vëmendjen me qëllim për shkak se mendojnë se është prioritet më i madh dhe natyrisht që këto gjëra janë të ndërlidhura, prandaj premtimet bien aty ku janë edhe kërkesat”, ka thënë Baliqi.

Pavarësisht që fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ende nuk ka nisur zyrtarisht, partitë politike tashmë kanë nisur një lloj para-fushate, duke organizuar tubime me aktivistë dhe qytetarë, si dhe përmes paraqitjeve në medie. Fushata zgjedhore, zyrtarisht nis më 24 shtator dhe zgjatë deri më 4 tetor.

Komento: