‘Frikësohem se klubet sportive do t’i mbajnë emrat KF Devolli, Z-Mobile, ETC’

12:20 | 27 June 2019

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për Ligjin për Sponsorizime në Sport e Kulturë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ka deklaruar se do ta votojnë amendamentin e deputetit Bekim Haxhiu, por që nuk do të marrin përgjegjësi për keqpërdorimet kur ato të ndodhin.

Ai ka kritikuar pozitën për propagandën që është bërë se kush e ka kundërshtuar amendamentin e deputetit Haxhiu është kundër sportistëve. Ai ka thënë se kundër këtij amendamenti është Qeveria, pasi ministri i Financave Bedri Hamza ka qenë kundër tij.

Konjufca tha se do të ndodh lënia anash e sportit të Kosovës, pasi sipas tij korporatat e marrin në dorë sportin dhe Qeveria e ka justifikimin.Ai tha se nëse do ta votojë këtë amendament do ta votojë vetëm se sportistët po mendojnë që është i mirë dhe që po iu ndihmon.

“Ky është koncept i orientimit total privat të sportit që mua nuk më pëlqen dhe tash po ua shpjegoj pse nuk më pëlqen. Se pari përveç keqpërdorimeve të shumta që mund të ndodhin, e dyta frikësohem që pas tri katër vitesh në Kosovë klubet tona të sportit nuk kanë me e pas më emrin Prishtina, Llapi e Drita, po kanë me ia nis me pas emrin KF Devolli, Z-Mobile edhe ETC. Kjo ka me ndodh shumë shpejt në Kosovë edhe këto ekipe pastaj kanë me ia nis me fitua ligat e Kosovës, krejt. Këtë koncept të sportit ju po doni ta sillni në Kosovë. unë mendoj që nuk është mirë, nuk është modeli më i mirë i mundshëm…. Nejse, pasi sportistët po mendojnë qashtu që është më mirë unë do ta votojë edhe Vetëvendosje do ta votojë këtë amendament. Mirëpo përgjegjësinë për keqpërdorime nuk do ta marrim dhe kur ato do të ndodhin përmes këtyre mekanizmave që mund të jenë edhe mekanizma të shpëlarjeve të parave edhe të ikjes së tatimeve, do të mundohemi t’i ngrisim këto probleme, t’i zbulojmë ato dhe t’i rimë gati dhe t’i përmirësojmë gabimet e kësaj Qeverie”, tha Konjufca.

Deputeti Konjufca tha se duhet t’iu vije turp që krejt këtë problematikë e kanë thjeshtëzuar në dimensionin që më shumë para në sport do të ketë dhe është më mirë. Këtë amendament ai e ka krahasuar me votimin për Gjykatën Speciale, ku tha se me propagandë e kanë votuar dhe pastaj kanë bërë përpjekje për ta tërhequr.

Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se sportistët e dinë mirë se çka del pas këtij ligji dhe nuk është si Gjykata Speciale.

Glauk e bëre një gabim të rëndë se sportistët e dinë mirë çka del pas kësaj, nuk është si ajo puna e Gjykatës Speciale, e dinë mirë”, tha ai.

Komento: