Fryrje e buzëve dhe rritje e gjoksit mund të bëhet edhe në QKUK, por…

13:53 | 30 May 2019

Edhe në QKUK mund të bëni operacione plastike.

Specialistja e kirurgjisë plastike Dr. Violeta Zatriqi ka treguar nëse mund të bëhet apo jo fryrja e buzëve dhe rritja e gjoksit në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në QKUK.

Mjekja ka thënë se për këto intervenime ka kapacitete profesionale në këtë klinikë, por ato nuk aplikohen për shkak të mungesës së hapësirës dhe fluksit të madh të pacientëve për shërbime jetike.

“Nuk i kryjmë intervenimet kirurgjike estetike, fryrje të buzëve apo gjoksit sepse kemi mungesë të hapësirës dhe sallës operatore. Fluksi i pacientëve me patologji të tjera është i madh dhe kanë prioritet. Ne nuk mund ta lëm një pacient me djegie apo karcinom, dhe të operojmë një vajzë që dëshiron rritje gjoksi”, ka deklaruar Zatriqi në emisionin “Studio e hapur” në RTK.

Mjekja ka treguar tutje se në këtë klinikë diegiet janë patologjia më e shpeshtë. “Fatkeqësisht djegia është patologjia më e shpeshtë që ballafaqohemi çdo ditë dhe ne nuk kemi një qendër për djegie. Pacientët që kanë djegie mbi 50 për qind duhet të referohen jashtë vendit dhe kostoja është e madhe. Mungesa nuk është profesionale, por nevojitet salla operatore ku bëhet pastrimi dhe fashimi çdo ditë. Na nevojitet mjekimi intensiv në klinikë, një dhomë speciale për pastrimin e pacientëve”, ka thënë Zatriqi.

Ajo ka bërë të ditur se projekti për këtë qendër është bërë që një kohë të gjatë, ndërsa tani po shpresojnë që të miratohet nga menaxhmenti aktual i QKUK-së.

Komento: