Fshati i Presidentit Thaçi futet në karantinë

14:13 | 12 Prill 2020

Skenderaj, futet në karantinë një pjesë e lagjes Thaçi në Burojë.

Pas shfaqjes së rasteve të para me infeksionin COVID-19 në Komunën e Skenderajt, Shtabi Emergjent i Kryesuar nga Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në takimin e mbajtur me datë 12.04.2020, ka marrë vendim që të futet në karantinë një pjesë e lagjes “Thaçi”, ana e majtë e vendbanimit gjatë rrugës Skenderaj- Klinë, fshati Burojë, Rr. “Mulla Ilaz Broja” dhe Rr. “Man Hajdini”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Po ashtu bëhet e ditur se me vendim të shtabit emergjent mbyllen dy marketet dhe pompa e derivateve të naftës në Burojë, Rr. “Mulla Ilaz Broja”, deri në një vendim tjetër pasi të bëhen testet dhe të dalin rezultatet e punëtorëve dhe pronarëve të këtyre bizneseve.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm për familjen e izoluar dhe në bashkëpunim me IKSHP-në janë duke bërë identifikim e personave kontakt të të infektuarve me COVID-19.

Kryetari i Komunës së Skenderajt dhe një herë bënë apel nga të gjithë qytetarët e komunës sonë që të jenë të kujdesshëm, t’i përmbahen masave mbrojtëse dhe rekomandimeve të IKSHP-së, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të evitojnë daljet pa nevojë nga shtëpitë e tyre.

Komento: