Pritet revolucion të gjiganti i Premierligës.
Manchester Unitedi po përgatitet për t’i larguar gjashtë futbollistë nga skuadra sapo të përfundojë ky sezon pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer dëshiron ta ndërtojë një skuadër që është e aftë të garojë për titullin e Premierligës.
Një ndryshim i madh në skuadrën e Manchester Unitedit do të ndodhë këtë verë edhe nëse klubi nuk arrin të kualifikohet për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Ky afat kalimtar që po vjen pritet të jetë më vendimtari për skuadrën e “Old Traffordit” që nga viti 2015, kur trajneri i atëhershëm Louis Van Gaal i transferoi gjashtë lojtarë dhe i shiti tetë të tjerë.
Manchester Unitedi zakonisht preferon t’i zëvendësojë tre lojtarë në vit, mirëpo drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm që ky numër duhet të jetë më i lartë këtë verë për shkak të gjendjes aktuale të skuadrës.
Kapiteni i skuadrës, Antonio Valencia, do të largohet nga Manchester Unitedi pas një dekade aty. Ai nuk ka luajtur që nga janari i këtij viti dhe edhe vetë Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se Valencia do të largohet këtë verë nga klubi.
Matteo Darmian dhe Marcos Rojo janë favoritë për të qenë në mesin e lojtarëve që do të shiten te ndonjë klub tjetër, mirëpo edhe Eric Bailly mund të largohet. Edhe dy spanjollët, Ander Herrera dhe Juan Mata pritet të largohen pasi që kontrata e tyre do të përfundojë.