FSK: 87.4% e qytetarëve kanë besim tek ne – Jashari falënderon qytetarët për mbështetjen

14:45 | 26 Qershor 2026
fsk:-87.4%-e-qytetareve-kane-besim-tek-ne-–-jashari-falenderon-qytetaret-per-mbeshtetjen

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se, duke iu referuar rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026, vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm i sigurisë në Republikën e Kosovës.

Sipas të dhënave të cituara nga FSK, 87.4 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur besim ndaj këtij institucioni.

Në një postim në faqen zyrtare tw kwsaj force, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, falënderoi qytetarët për besimin e vazhdueshëm të treguar ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai shprehu mirënjohje edhe për personelin e FSK-së për, siç tha, profesionalizmin, punën e palodhshme dhe angazhimin në përmbushjen e misionit, si dhe falënderoi partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional të FSK-së.

Sipas FSK-së, ky vlerësim paraqet dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të saj në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

“Ky vlerësim i lartë paraqet dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kjo arritur është falë angazhimit dhe shërbimit vetëmohues të personelit të FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që misionin dhe detyrat e saj t’i realizojë me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë, duke qenë gjithmonë e gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Besimi i qytetarëve përbën nder, përgjegjësi dhe motiv shtesë për FSK-në që të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe të kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe më gjerë”.

Komento: