
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se po vazhdojnë përgatitjet për dislokimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (FNS), pas vendimit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për këtë angazhim.
Sipas Maqedoncit, përgatitjet po zhvillohen në koordinim të ngushtë me shtabin e FNS-së.
Ai bëri të ditur se aktualisht katër pjesëtarë të FSK-së i janë bashkuar shtabit të misionit, ku do të kontribuojnë në planifikimin, koordinimin dhe mbështetjen e operacioneve.
Ndërkohë, pjesa tjetër e kontingjentit ka përfunduar të gjitha përgatitjet operacionale dhe logjistike dhe, pas koordinimit me Shtabin e FNS-së, do të dislokohet në Gaza për të nisur kryerjen e detyrave në kuadër të këtij misioni ndërkombëtar.