FSK niset drejt Turqisë, Mehaj jep detaje për detyrat që do të ketë task-forca

21:17 | 06 Shkurt 2023

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se tashmë është nisur kontingjenti i FSK-së në oeracion kërkim-shpëtimi drejt Turqisë, pas një tërmeti shkatërrues që goditi vendin.

“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar Mehaj.

Ai ka thënë se task-forca përbëhet nga specialistët në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.

“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit. Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja”, ka njoftuar Mehaj.

Komento: