FSK-së i mbërrijnë 12 kamionë ushtarakë nga Gjermania

10:24 | 29 Tetor 2026

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 12 kamionë ushtarakë UNIMOG, të blerë për nevojat e FSK-së.

Maqedonci deklaroi se përveç blerjeve, Gjermania po e mbështetë FSK-në edhe përmes donacioneve, transmeton lajmi.net.

Në këtë rast të pranishëm ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Gjermanisë, Rainer Rudolph dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënantë Bashkim Jashari.

“Sot, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe z. Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks, morëm në dorëzim 12 kamionë ushtarakë UNIMOG – Mercedes Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Përveç blerjeve, Gjermania po e mbështet FSK-në edhe përmes donacioneve. Në vitin 2024 pranuam pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Sipas planifikimit, gjatë vitit 2027 presim të pranojmë edhe dy kamionë Rheinmetall KX 8×8 dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes Benz si donacion nga Gjermania. E vlerësojmë këtë mbështetje konkrete dhe partneritetin e vazhdueshëm mes vendeve tona”,deklaroi Maqedonci.

Ai tha se për vitin 2027 janë planifikuar të arrijnë edhe dhjetëra kamionë të tjerë të blerë. Këto prurje, nga blerjet dhe donacionet, janë pjesë e planifikimit afatgjatë për zhvillimin e kapaciteteve transportuese dhe logjistike të FSK-së.

“Me 12 kamionët UNIMOG – Mercedes Benz dhe tetë kamionët Rheinmetall që kanë arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara deri më tani nga këto dy kategori arrin në 35.Kamionët UNIMOG – Mercedes Benz ofrojnë lëvizshmëri të lartë në terrene të vështira dhe do të mbështesin transportimin e personelit, pajisjeve e materialeve, si dhe furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale. Së bashku me kamionët Rheinmetall 8×8, ata do të forcojnë mbështetjen logjistike dhe aftësinë e njësive për të vepruar me efikasitet”,shtoi ai.

Maqedonci deklaroi se një forcë moderne ka nevojë për kapacitete që i mundësojnë të lëvizë, të furnizohet dhe të përmbushë detyrat e saj. Logjistika është pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale.

“Falënderoj Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen, Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, Ambasadorin gjerman z. Rainer Rudolph dhe përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks z. Daniel Zittel për bashkëpunimin. Do të vazhdojmë të investojmë në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore, për një forcë profesionale, moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë, në shërbim të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.”

Komento: