Ende nuk është vendosur nëse do të kompensohen orët e humbura apo jo në arsimin kosovar.
Komisioni për Arsim ka diskutuar sot lidhur me mos mbajtjen e orëve mësimore të cilat janë humbur në grevën që mësimdhënësit kanë mbajtur. Deputetët kanë kërkuar që orët e humbura të zëvendësohen.
Komisioni ka marrë vendim që të mërkurën në ora 10:00, të ftohen SBASHK-u, MASHT dhe këshilli i prindërve për të diskutuar kompensimin e orëve.
Kryetari i këtij komisioni Ismajl Kurteshi, ka thënë se qëndrimi i komisionit është që të zëvendësohen orët e humbura.
“Komisioni për arsim është për kompensimin e orëve. Ne mendojmë se është gabim nëse nuk kompensohen orët, me moszëvendësim po dëmtohen nxënësit”, tha ai.
Deputeti Driton Çaushi, ka thënë se është një papërgjegjësi e madhe që nuk janë duke u kompensuar orët mësimore.
“Mos kompensimi i orëve i cili po vazhdon. Unë mendoj se nuk ka qenë adresa e duhur seanca e Kuvendit, por rrethanat që kanë ardhur mendoj që ka qenë i domosdoshëm. Pasi po shohim që edhe pas asaj kemi një papërgjegjësi të madhe, nuk është më e qartë cila është adresa. Sjelljen e papërgjegjshme të udhëheqësve të SBASHK-ut. A janë unanim mësimdhënësit që të mbyllin sytë kur kanë humbur 14 ditë. A janë edhe prindërit dakord. Është shumë keq nëse ne përballemi me një sistem të dëmtuar, me cilësi të ulët, me të gjitha vërejtjet, mirëpo a jemi tash të gjithë të rrëzuar para këtij fakti. Për mua është shumë absurde kur SBASHK-u e njeh barrën që e kanë mësimdhënësit dhe në të njëjtën kohë nuk është për kompensimin e orëve”, ka thënë ai.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se për të ka qenë e pabesueshme që SBASHK-u thërret për mos kompensim të orëve.
“Sindikata që për mua ka ndryshuar sidomos në këtë kohë. Nuk guxojmë ta kujtojmë atë që ka thënë kryetari i SBASHK-ut që më mirë të humbet një vit sesa çdo vit. Ministria ka marrë një vendim dhe nuk ka asnjë vendim. Sindikata del i uron nxënësit për përfundim të gjysmëvjetorit dhe notat nuk janë të përfunduara. Gjithçka po shkon prapa. Sinqerisht në përpjekjet tona nuk duhet me u ndal, me thirr në ndërgjegje, nuk e di sa ka mbet, me u thirrë në diçka që i bënë dëm një gjenerate. Unë nuk kisha besua që SBASHK-u thërret që orët të mos mbahen. Derisa as në një konferencë nuk është fol për 420 mësimdhënësit që janë të sëmurë. Nuk e ka ngritur zërin për shkollat që janë në gjendje të keqe”, tha ai.
Deputetja Albulena Balaj, ka thënë se vendimi për kompensim të orëve është marrë bashkërisht me DKA-të dje tash nuk po realizohet.
“Është mirë që me u organizua disa takime që të shohim se a janë mësimdhënësit në pajtim me SBASHK-un. Ajo që po më habit se ministri nuk e ka marrë vendimin vet, ka qenë në bashkëpunim me DKA. nëse është konsultuar me ta tash duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët”, tha ajo, transmeton Kp.
Deputetja Luljeta Veselaj -Gutaj, ka thënë se duhet të kompensohen të gjitha orët e humbura.
“Ne duhet të mendojmë për të mirën e nxënësve. Duhet të kompensohen orët e humbura. Ne kërkojmë me ligj që të mbahen të gjitha ditët që janë të parapara me ligj. Ne si komision duhrt të bëjmë përpjekje, kemi mbajtur seancë një rezolutë që nuk e kemi votuar, nuk morëm asnjë vendim. Neve nuk na intereson kur mbahen, por kërkojmë të realizohet programi”, tha ajo.