Ftoj ndërkombëtarët të vinë të shohin sa e (pa)drejtë është Gjykata Speciale, thotë avokati i Thaçit

16:30 | 09 Shtator 2022

Të vinë të gjitha palët e bashkësisë ndërkombëtare e të shohin çfarë po ndodhë në Gjykatën Speciale – e pastaj ta pyesin veten nëse kjo që po ndodh është e drejtë apo jo, tha avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një intervistë për agjencinë e lajmeve kosovapress.

“Nën arrest që nga nëntori i 2020’ës, ku gjykimi thonin të niste pas gjashtë muajsh – e tani janë gati dy vjet e me gjasë gjykimi nuk do të nis në një të ardhme të afërt”.

Kështu e shpjegoi anomalinë e mosnisjes së gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokati Kehoe. “Ftoj këdo”, u shpreh ai, “të vi e të shohë se se si po sillet kjo gjykatë”.

“Dhe, të pyesin, se a është e drejtë apo jo”, u shpreh avokati.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e shqiptarëve të Kosovës, thotë Kehoe, ndërsa nëse shihet aktakuza “ata synojnë të thonë se UÇK-ja ishte organizatë e përfshirë në aktivitete kriminale”.

Dhe atë, “sipas një terori të ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’ t’i fajësojnë këta katër persona”, u shpreh Gregory Kehoe.

Dokumentet e marra nga Serbia, Kehoe tha se kjo gjykatë nuk duhet t’i pranojë. “Serbia historikisht ka qenë e përfshirë në fabrikimin e dëshmive dhe të dëshmitarëve”.

“Andaj, argumentet që i kemi ngritur janë se ne jemi të thirrur të dimë prej nga vijnë këto dëshmi”, argumentoi avokati. Por jo vetëm kaq, Kehoe thotë se “pyesim kush i shkroi këto dokumente, kur janë shkruar ato”.

Por edhe “se si ju në Serbi patët kontroll në këto dokumente”.

“Natyrisht se po”, tha Gregory Kehoe, pyetur se a duhet të ketë vëmendje institucionale më të madhe nga ana e Kosovës.

“A dëshiron populli i Kosovës gjykatë jo të drejtë, jo transparente, e me gjasë të padrejtë? Sigurisht që jo”, tha ai.

Komento: