
Në LVV thonë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votimin për Presidentin. Ndërsa opozitarët kanë paralajmëruar se s’votojnë pa konsensus apo marrëveshje për një emër, në partinë e Albin Kurtit u raportua se kanë vendosur ta kandidojnë Glauk Koniufcën.
Sipas Blerim Sallahut të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e opozitës duhet ta mundësojnë zgjedhjen e Presidentit, pavarësisht se cilin kandidat mund ta propozojë LVV-ja.
Pas mesnatës, Sallahu shkroi në Facebook se mospjesarrja e 2/3 e deputetëve në votim e “cenon Kushtetutën”.
“Nëse në ruandin e parë nuk votojnë 2/3 e deputetëve për zgjedhjen e Presidentit, ruandi i parë do të jetë i pavlefshëm. Kësisoj, nuk mund kalohet në raundin e dytë”, shkroi ai.
“Andaj mospjesëmarrja e numrit të caktuar të deputetëve në votim të cilët e përbëjnë kuorumin natyrisht që cenon Kushtetutën dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Sallahu.
Sipas tii, “deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votim në mënyrë që të zbatohet drejt dhe në tërësi procedura e zgjedhjes së Presidentit të vendit”.
Edhe kryeministri Albin Kurti vetë tha të hënën pas një takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku se Kushtetuta “i obligon deputetët që të votojnë”.
Po atë ditë, të njëjtën gjë e tha edhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
“Është e rëndësishme që t’i kemi 80 vota në kuti në dy rundet e para, dhe në të tretin mjafton me 61. Le të jenë të gjitha palët konstruktivë. Pra, pa propozime apo pa tendenca për ta bllokuar zgjedhjen e Presidentit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Pra, kërkesa që duhet të jenë 80 vota është e ndërlidhur me këtë: pra, sepse Gjykata Kushtetuese i ka detyruar deputetët që të jenë në nivelin e përgjegjësisë së tyre, pra të jenë të pranishëm dhe të votojnë”.
Kurti dhe Abdixhiku u takuan sërish dje, për herë të tretë, për çështjen e Presidentit. Në këtë takim, u raportua se Kurti ia ka prezantuar Abdixhikut idenë e tij që të shkojë në Kuvend me Glauk Konjufcën kandidat për President.
Se Kurti ka synim që ta propozojë Konjufcën njëanshëm dhe pa ndonjë marrëveshje, u konfirmua disi edhe nga një reagim i djeshëm i deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, e cila foli për “kushtëzim me shantazh, me kërcënim”. Tha se Kurti po e përdor këtë metodë edhe për zgjedhjen e Presidentit dhe shtoi se ajo nuk nënshtrohet dhe se Konjufca nuk duhet ta marrë këtë post.
Ndër anëtarë e deputetë të LVV-së që folën për detyrimin e opozitës për të qëndruar në sallën e Kuvendit dhe për të votuar, doli edhe Mefail Bajqinovci.
“Opozita nuk duhet të bllokojë procesin për zgjedhjen e Presidentit. Deputetët e opozitës duhet të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim për Presidentin. Bojkoti nuk është zgjidhje – pjesëmarrja dhe vota janë detyrim kushtetues”, shkroi ai dje në një postim në Facebook.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri nesër në mesnatë që ta zgjedhë Presidentin.