Britaninë e Madhe po e pret një sfidë e madhe.
Fjala “prepper” vjen nga prepare – që do të thotë të jesh i përgatitur. Njerëzit që e quajnë veten të përgatitur, janë faktikisht të armatosur për çështje serioze si për shembull incidente atomike ose luftë.
Por në Britaninë e Madhe gjithnjë e më shumë Prepper përgatiten për periudhën pas BREXIT-it.
Michael Kirschning është kuzhinier i specializuar dhe Prepper i deklaruar. Ai ka zbrazur disa dollapë për të futur atje ushqime rezervë dhe për të qenë i përgatitur për atë që do të ndodhë kur Britania e Madhe të dalë nga BE-ja. Ashtu si ai, kanë bërë mijëra anëtarë të grupit të krijuar në Facebook, “48 Percent Preppers”. Anëtarët e këtij grupi mendojnë se BREXIT do të ketë pasoja katastrofale, rritje të kriminalitetit, mungesa të shërbimeve mjekësore, papunësi masive.
Prandaj, Michael Kirschning shfrytëzon çdo lloj oferte me produkte të lira për të blerë sa më shumë dhe në çdo blerje e ndien veten gjithnjë e më të sigurt. Pas BREXIT-it, mendon me frikë gjermani Michael Kirschning, që jeton në Milton Keynes të Londrës, do ketë mungesë produktesh dhe çmimet do të rriten. Prandaj ai e ktheu veten në të ashtuquajturin “Prepper” – dikë që është i përgatitur. “Njerëzit që kanë para, nuk e vrasin mendjen,” thotë ai, ” sepse ata janë në gjendje ta përballojnë situatën, sepse me para mund të blesh çdo gjë. Por për njerëzit e zakonshëm, nuk do të jetë e lehtë. Prandaj unë mendoj se gjendja që do të krijohet do të jetë shumë e keqe.”
Michael Kirschning dhe shumë Prepper të tjerë shikojnë te BREXIT-i një katastrofë të mundshme. Planet e qeverisë e rrisin edhe më shumë shqetësimin e tyre: 3500 ushtarë duhet të jenë të gatshëm për masat që duhen marrë nëse BREXIT-i ashpërsohet. “Ushtarë, që do të jenë të armatosur dhe do të kujdesen për ruajtjen e rendit. Ata pra do të fillojnë dikur të qëllojnë mbi njerëzit këtu. Atëherë do ketë ardhur pika kulminante këtu,” thotë Kirschning.
“Çfarë do të thotë kjo?” pyetet ai. “Atëherë do të fillojë ndonjë luftë civile këtu”, përgjigjet gjermani që jeton prej 30 vjetësh në Britaninë e Madhe.
Asgjë si më parë
Asnjë gjë nuk do të funksionojë si më parë, për këtë Prepper-at janë të bindur. As në doganën e portit të Denverit, pikën më të rëndësishme të transportit të mallrave. Aktualisht duhet një minutë e gjysmë që të futet një kamion mallrash këtu. “Nëse do të dalim nga BE, atëherë do të duhen katër minuta. Mendoni çfarë bllokade do të krijohet brenda 24 orëve, dhe brenda javës vargu i makinave të bllokuara në qarkullim do të mbërrijë deri në Londër, ” thotë Kirschning.
Edhe autoritetet mendojnë se do ketë vargje kilometrash të gjatë makinash të bllokuara në rrugë, nëse BREXIT do të jetë i ashpër. Ky do të krijojë problem kryesisht për lëndët ushqimore. Gati gjysma e produkteve ushqimore në Britaninë e Madhe vjen nga jashtë, pjesa më e madhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Ekspertët llogarisin se sidomos produktet e freskëta ushqimore do pakësohen vërtet.
“Produktet që duhen mbajtur në frigoriferë, mund t’ i mbash maksimumi për pesë ditë, ato duhen furnizuar menjëherë. Çdo lloj vonese furnizimi do të thotë se ato nuk mund të shiten më.”
Në tregun ku ai blen prodhimet e tij në Milton Keynes, me siguri oferta do të zvogëlohet konsiderueshëm, mendon Michael Kirschning.
Rezerva ushqimore për 5 muaj
Por ky Prepper duket se është një nga të paktët këtu, që shqetësohet. Sepse Milton Keynes ka votuar për BREXIT-in, dhe pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se Britania e Madhe është në gjendje t’ia dalë mbanë e vetme.
“Disa njerëz do fillojnë të grumbullojnë ushqime. Unë besoj se kjo nuk është e nevojshme. Nëse njerëzit mbeten të arsyeshëm, atëherë nuk do të ketë mungesa,” thotë njeri. Kurse tjetri ia pret: “Unë besoj se ne duhet ta bëjmë atë që kemi nisur. Ne nuk duam të qeverisemi nga Brukseli.”
Michael Kirschning sidoqoftë nuk pret të shohë çfarë do të ndodhë, por është duke u bërë gati për rastin më të keq. Në Facebook ai këmben këshilla me Preperët e tjerë: Si për shembull si të thashë perimet që t’i bësh ato të durojnë më shumë pa u prishur. Disa të tjerë blejnë gjeneratorë, për të qenë të gatshëm nëse ikin dritat.
“Ushqimet që unë kam mbledhur këtu mjaftojnë për 2 muaj. Në frigorifer kam po ashtu mjaft ushqime, për të shtyrë edhe tre muaj të tjerë. Kështu që unë nuk kam problem,” thotë i kënaqur Michael Kirschning, që thotë se “të tjerët janë shumë naivë që besojnë dhe nuk përgatiten.” Për veten e tij ai ka një plan B gati: Nëse këtu nuk shtyhet më, atëherë ai do të kthehet në Gjermani mbas 30 vjetësh jete në ishull.