Fundi i një epoke te Kosova, pensionohen Valon Berisha dhe Fidan Aliti

14:48 | 18 Shtator 2026

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar pensionimin e dyshes Valon Berisha dhe Fidan Aliti.

Pas shumë viteve, dy lojtarët që kanë dhënë kontribut të madh për “Dardanët” kanë vendosur t’i japin fund aventurës me kombëtaren.

Berisha që e la Norvegjinë për të përfaqësuar Kosovën e ka vlerësuar këtë si vendimin më të mirë të karrierës.

“Nuk e di nëse ekzistojnë fjalët e duhura për ta nisur një shkrim si ky. Në fakt, nuk po di as se si ta nis një shkrim, që bart me vete aq shumë krenari e emocion, që fjalët nuk mjaftojnë për ta treguar”.

“Sot, kur po i shkruaj këta rreshta, kam para syve të mi një djalë shqiptar që po rritej në mërgim me dy ëndrra në jetën e tij: Kosovën dhe futbollin. Një familje, dy prindër, që atij djali ia ngulitën thellë në shpirt e në mendje dashninë dhe obligimin për familjen, për gjakun e tij, e mbi të gjitha për Kosovën e shtrenjtë”.

“Sot, shumë vite më vonë, jam i mbushur me krenari dhe falënderim ndaj familjes, prindërve dhe Zotit që më mundësoi t’i përmbush të dyja këto ëndrra.

Që me një top futbolli ta lartësojë emrin e Kosovës. Pas shumë vitesh, 52 ndeshjesh dhe disa golash, njëri prej të cilëve, ai kundër Finlandës, do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit të Kosovës, sot ka ardhur koha që periudha ime si futbollist aktiv me Kombëtaren të përfundojë”.

“Dhjetë vite më parë mora një prej vendimeve që do të më bëjë krenarë tërë jetën. Pavarësisht falënderimit që kam për Norvegjinë, shtet që, mua dhe familjes sime na dhanë mundësinë për jetë më të mirë, por e lash dhe atëherë vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi”.

“Vendosa të tregoj se Kosova është mbi çdo gjë dhe, bashkë me shokët e gjeneratës, ndërtuam rrugën e Kombëtares sonë, me shpresën që të rinjtë e sotëm ta vazhdojnë, ta besojnë dhe të jenë të bashkuar për t’i arritur synimet e mëdha”.

Ndërsa, Aliti shtoi se do të jetë gjithnjë krenar që ka veshur fanellën e Kosovës, duke i hapur rrugë lotjarëve të rinj.

“Ka momente dhe vendime që janë të vështira për t’u jetuar e për t’u marrë dhe padyshim se ky që po e publikoj sot është një nga ta.

Pas shumë vitesh, shumë ndeshjesh, emocionesh të pafundme, sakrificash e kujtimesh që do t’i mbaj me vete tërë jetën, ka ardhur koha që të mbyll kapitullin tim me ekipin kombëtar.

Ta vesh fanellën e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prej nderimeve më të mëdha të jetës sime. Sa herë që kam dalë në fushë me këtë fanellë, kam dhënë shpirtin e zemrën për të.

Kam luajtur me krenari e përgjegjësi, i vetëdijshëm për peshën që bart përfaqësimi i vendit tonë.

Kemi kaluar shumë bashkë, festa e fitore, por edhe zhgënjimin e humbjeve. Kemi luftuar e ëndërruar, por edhe kemi shkruar bashkërisht një pjesë të ndritshme të historisë së futbollit të Kosovës.

Sot po largohem nga Kosova si futbollist, por kurrë si tifoz i saj. Kosova është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e imja. Është dhe do të jetë gjithmonë e para, sa herë që të ketë nevojë për mua.”

Faleminderit për gjithçka, Kosovë. Ishte ëndërr, u bë nder dhe krenari!”.

Komento: