Vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakoshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Në prag të fushatës zgjedhore disa subjekte politike, të cilat kërkonin pezullimin e taksës ndaj Serbisë si kusht për të vazhduar dialogu, tashmë po kërkojnë mbajtjen në fuqi të saj. PDK-ja dhe LDK-ja për pak muaj kanë ndryshuar qëndrimin 100 për qind ndaj kësaj çështjeje.
Të gjitha partitë e mëdha politike pritet ta shfrytëzojnë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe për të fituar poenë politikë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, ndonëse disa prej këtyre partive muaj më parë vazhdimisht kërkonin pezullimin e saj, me arsyetimin se po ua sugjerojnë partnerët ndërkombëtarë për zhbllokimin e dialogut me Serbinë, shkruan sot Gazeta ‘Zëri”.
Taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake është vendosur nga kryeministri Ramush Haradinaj më 21 nëntor 2018, pasi ishte propozuar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
Pasi presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës filloi të rritej, Hoxhaj disa herë kishte deklaruar në medie se taksa duhet të pezullohet, por çuditërisht një natë më parë ai për medie ka theksuar se duhet të mbetet në fuqi.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kreu i saj Isa Mustafa, po kërkon që taksa të mbetet në fuqi, ndonëse me rastin e vendosjes së saj kishte deklaruar se ajo është vendosur më shumë për konsum të brendshëm politik.