Futbolli mund të kthehet brenda një muaji

10:55 | 16 April 2020

Eksperti thotë se futbolli mund të kthehet brenda një muaji.

Specialisti kryesor i Italisë për sëmundjet infektive, Giovanni Rezza, ka thënë se Serie A mund të rinisë brenda një muaji, mirëpo me ndeshje që do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura dhe me masa rigoroze parandaluese.

Federata e Futbollit e Italisë është duke tentuar ta gjejë një mënyrë se si ta kthejë futbollin në fushën e blertë sa më shpejt që të jetë e mundur, por duke i mbajtur të sigurt lojtarët dhe stafin, përderisa virusi Covid-19 po vazhdon t’i godasë vendet në botë, transmeton Gazeta Express.

Klubet italiane të Serisë A synojnë t’i rinisin seancat stërvitore nga 4 maji, përderisa ndeshjet do të zhvillohen nga 30 apo 31 maji.

“Siç qëndrojnë gjërat për momentin, sezoni i Serisë A mund të rinisë brenda një muaji, por me ndeshje pa tifozë të pranishëm dhe me masa rigoroze”, ka thënë Rezza, drejtor i Departamentit për Sëmundje Infektive në Instituto Superiore di Sanita.

“Rinisja e kampionatit vjen bashkë me një shkallë të rrezikut. Ajo që ne duhet ta bëjmë është ta ulim këtë rrezik sa më shumë që të jetë e mundur duke vendosur udhëzime shumë rigoroze”.

“Federata e Futbollit e Italisë është duke menduar për këto masa për ta ulur shkallën e rrezikshmërisë në minimum për lojtarët, trajnerët dhe të gjithë në komunitetin e futbollit”.

Lojtarët pritet të testohen rregullisht për virusin Covid-19, në mënyrë që skuadrat të mos rrezikojnë të infektohen të gjithë nëse një lojtar është i infektuar kur të rinisin stërvitjet dhe ndeshjet.

Komento: