Futbolli në ZI, vdes ‘baba’ i Ligës së Kampionëve

10:58 | 05 Qershor 2019

Ka ndërruar jetë ‘baba i Ligës së Kampionëve’.

Lennart Johansson, personi që transformoi Kupën e Kampioneve dhe futi në qarkullim të famshmen Champions League gjatë mbretërimit të tij 17-vjeçar në UEFA, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmi është bërë publik nga Federata Suedeze e Futbollit, që ka sqaruar se ish-presidenti i UEFA-s vdiq të martën, pas një sëmundjeje.

“Lennart Johansson ishte lideri ynë më i madh i futbollit ndërkombëtar në futboll, asnjë suedez nuk ka pasur aq ndikim në botën e futbollit. Ai gëzonte respekt të thellë si president i UEFA-s dhe zëvendëspresident i FIFA-s”, tha presidenti i Federatës Suedeze, Karl-Erik Nilsson.

Johansson u zgjodh president i UEFA-s në periudhën 1990-2007, derisa u mund të zgjedhjet presidenciale nga Michel Platini.

Suedezi ishte edhe zëvendëspresident i FIFA-s, por humbi në vitin 1998 garën kundër Sepp Blatter, i cili u akuzua për manipulime dhe blerje votash, ndërsa nuk foli më kurrë me Johansson.

Johansson krenohej me krijimin e Champions League, ajo që konsiderohej arritja më e madhe e tij në UEFA. Pikërisht Johansson bëri që Champions League të zgjerohej, të rriste gradualisht të ardhurat dhe të hapte dyert edhe për ekipet jokampione në vendet përkatëse. Për këtë arsye, në stadiumin kombëtar të Suedisë në Stokholm ekziston një çmim për suedezin e famshëm: “Kushtuar Lennart Johansson, babait të Champions League”.

Lennart Johansson e transformoi UEFA-n nga një organ administrativ në një sipërmarrje gjigante komerciale, që është kthyer në burim fitimi edhe për qindra klube futbolli anembanë kontinentit. Pas humbjes ndaj Platini në 2007, Johansson u emërua president nderi i UEFA-s. Johansson ka qenë kundërshtar i futjes së teknologjisë në futboll për të ndihmuar arbitrat.

Komento: