Ambienti i tensionuar politik i momentit do ta vendos Kombëtaren iraniane në presion të madh
Pavarësisht futbollistëve dhe trajnerit që dhanë më të mirën në fushë dhe insistuan se kjo është vetëm një ndeshje futbolli në Botëror dhe jo një fushëbetejë ku ideologjitë dhe qeveritë përplasen, ndeshja në mes të SHBA dhe Iranit është politizuar shumë.
Futbollistët e Iranit raportohet se janë kërcënuar para ndeshjes me lëndim të familjeve të tyre për shkak të protestave kundër regjimit, kur refuzuan ta këndojnë himnin e tyre Kombëtar gjatë ndeshjes debutuese në Botëror kundër Anglisë.
Kërcënimet për torturë dhe burgosje të familjeve të tyre, kanë shtuar qartë presionin ndaj futbollistëve, të cilët pavarësisht kësaj patën një paraqitje të jashtëzakonshme këtë Botëror.
Futbollistët e Iranit mund të burgosën pas humbjes nga SHBA
Tani që Irani është eliminuar zyrtarisht pas humbjes nga SHBA, në një ndeshje kruciale ku vetëm njëra nga dy skuadrat do të kalonte tutje në 1/8-ën e finales, raportet thonë që priten pasoja për skuadrën në kthimin e tyre në shtëpi, sidomos për ata që kanë protestuar kundër regjimit në ndeshjen e parë duke mos e kënduar himnin kombëtar.
Futbollistët e Iranit e kënduan himnin në ndeshje tjetër që e luajtën kundër Shteteve të Bashkuara.
Trajneri i Kombëtares së Iranit, portugezi Carlos Queiroz, ka lavdëruar futbollistët e tij për guximin dhe aftësinë që ta përballojnë presionin që kanë qenë gjatë gjithë këtij Botërori, derisa vendi po kalon nëpër trazira të ndryshme politike.