
Një debat i ashpër, i shoqëruar me tensione dhe fyerje personale, është regjistruar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Top Story”.
Në qendër të përplasjes ishin moderatorja Grida Duma dhe drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, i cili në fund u detyrua të lërë studion, pas ashpërsimit të tonit dhe degradimit të bisedës.
Sipas materialit, tensioni nisi kur Duma i kërkoi llogari përfaqësuesit të PD-së se përse opozita nuk shkonte te pallati i djegur për ta parë situatën nga afër. Pyetja u pasua nga reagime të forta nga të dyja palët, duke e kthyer diskutimin në një përplasje të hapur në studio.
Në një moment, Alfred Lela e ironizoi moderatoren me shprehjen: “Topi është i joti, penalltinë gjuaje vetë”. Komenti nuk u prit mirë nga Grida Duma, e cila i kujtoi se në “fushën e saj” – studioja që ajo drejton – rregullat i vendos moderatorja.
Debati më pas u zhvendos te etika e komunikimit dhe roli i secilit në tryezën e diskutimit, duke u bërë gjithnjë e më i ashpër. Pika e vlimit u arrit kur Alfred Lela reagoi ndaj gjesteve të moderatores, duke i kërkuar të mos i drejtonte gishtin, me arsyetimin se ai “nuk ishte nxënësi i saj”.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë kur diskutimi kaloi në përdorimin e një fjalori fyes, pasi Lela përdori një shprehje banale në lidhje me gishtin e drejtuar, të cilën Duma e ktheu mbrapsht me të njëjtin ton.
Pas këtij momenti, Grida Duma i kërkoi zyrtarit të PD-së që të largohej menjëherë nga studio, duke theksuar se nuk toleron gjuhë të tillë në emisionin që moderon. /
