Tash e dy javë në Kosovë është duke u zhvilluar një fushatë e ‘’rreptë’’ politike, ku subjektet politike po garojnë me ofertat e tyre zgjedhore për ta marrë pushtetin dhe udhëheqjen e institucioneve qendrore për katër vitet e ardhshme.
Partia në pushtet (LVV), por edhe partitë opozitare po e shfrytëzojnë çdo moment, kohë e mjet për të bindur sa më shumë qytetarët për ofertat dhe programet e tyre, ndonëse subjekti politik më i madh në vend (LVV), ende nuk e ka publikuar të plotë programin e saj për katër vitet e ardhshme.
Kandidati për kryeministër Albin Kurti ka dhënë vetëm disa zotime, derisa rivalët e tij dhe kundër kandidatet e tij nga PDK, LDK, AAK, …, kanë dalë me plan-programe të veçanta për secilën fushë e dikaster.
Deri më tani nga partia në pushtet kemi pare një gjuhë të ashpër dhe linçuese ndaj mediave dhe partive opozitare, ndërsa këto të fundit kanë zgjedhur që të mos të merren me fyerjet dhe sharjet që atyre ju vijnë nga partia në pushtet, por janë orientuar për më shumë me takime e tubime me qytetarët.
Thaçi i VV-së: Nuk e di se si qëndrojmë me sondazhe, por e di se mbështetja nga qytetarët është e madhe
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline tha se mbështetja për partinë e tij është rritur ndjeshëm që nga vitin 2021.
Sipas tij, qytetarët tashmë e kanë kuptuar dallimin mes partive të tjera dhe VV-së, duke theksuar se nuk është në dijeni të sondazheve, por është i sigurt se mbështetja e VV-së është më e madhe se kurrë.
“Të jem real, nuk e di si është gjendja me sondazhe, por e di se tek qytetarët mbështetja është e madhe, më e madhe se me 2021, e them me përgjegjësi të plotë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka theksuar gjithashtu se VV ka një plan të qartë për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke paralajmëruar se për katër vitet e ardhshme do të investohen një miliardë euro për këtë sektor.
Ai ka shprehur kënaqësinë e tij për plan-programin e Vetëvendosjes, duke besuar se ky plan do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të besueshmërisë nga qytetarët.
‘’Jam i kënaqur me plan-programin e VV-së për këto katër vitet e ardhshme’’ deklaroi Thaçi.
Ferat Shala: PDK është më e fuqishme se kurrë, Qeverinë e re pas 9 shkurtit e udhëheq Bedri Hamza
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline thotë se PDK-ja është më e fuqishme se kurrë në 10 vitet e fundit dhe e ka kandidatin më të përshtatshëm për drejtimin e vendit në periudhën që po kalon Kosova.
“PDK qëndron si asnjëherë më parë në 10 vitet e fundit. PDK e ka kandidatin më adekuat për kohën dhe rrethanat që i kërkon ekonomia e vendit dhe gjendja sociale e politike”, tha Shala.
Shala ka theksuar se partia është aktive dhe e mobilizuar më shumë se kurrë, duke shtuar se qytetarët po besojnë te kandidati i PDK-së, Bedri Hamza.
‘’PDK është në avantazh sepse e ka listën kandiduese si asnjë parti tjetër, pastaj PDK është aktive, e mobilizuar si kurrë më parë, ne shpalosim programin më të mirë të mundshëm’’ u shpreh ai.
Ai ka theksuar se PDK prin në besueshmëri dhe në përqindje, dhe se partia do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme.
‘’Oferta jonë është reale, e prekshme e mundshme dhe qytetarët po besojnë në Bedri Hamzën. PDK prinë në secilin aspekt, edhe në përqindje edhe në besueshmëri. PDK do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme dhe kryeministër do të jetë Bedri Hamza” përfundoi Shala.
Demhasaj i AAK-së: Takimi në Malishevë, tregoi se koalicioni ynë po garon për t’i fituar zgjedhjet
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Arton Demhasaj, për FrontOnline ka thënë se partia e tij dhe koalicioni “Koalicioni për Kosovën Fituese” po e shohin efektin e mbështetjes masive nga qytetarët, pa pasur nevojë për sondazhe.
Demhasaj theksoi se koalicioni po arrin të krijojë një lidhje të fortë me qytetarët dhe është duke marrë mbështetje të dukshme në terren.
“Nuk kemi bërë sondazh e as nuk e kemi parë të arsyeshme të bëjmë sondazhe sepse efekti po shihet në publik, në masë në përkrahje. Koalicioni për Kosovën Fituese po e tregon efektin çdo ditë që i kemi me qytetarët”, ka thënë Demhasaj.
Ai ka përmendur takimin e zhvilluar në Malishevë, ku ka theksuar se fryma e koalicionit është e tillë që ai po garon me plot besim për të fituar zgjedhjet.
“Takimi dje në Malishevë, tregoj se koalicioni ynë po garon për ti fituar zgjedhjet sepse fryma në publik është e tillë”, ka shtuar Demhasaj,
Demhasaj tha se do të vazhdojnë të punojnë pa u ndalur deri më 8 shkurt, me synimin që më 9 shkurt të dalin fitues të zgjedhjeve.
‘’Do të vazhdojmë të punojmë deri me 8 shkurt që me 9 shkurt të dalim fitues’’ deklaroi ai.