Gabimi i Brovinës, ja çfarë deklaron ministri i Drejtësisë

18:52 | 17 May 2019

Ende po diskutohet gabimi i bërë dje nga Flora Brovina.

Gabimi i Flora Brovines është spontan dhe tërësisht njerëzor dhe ky gabim nuk ia zbeh punën e bërë për të demaskuar krimet e Serbisë në Kosovë . Kështu ka vlerësuar në një status në rrjetin social Facebook ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Sipas tij, deputetja Flora është pjesë e pandashme e brezit të njerëzve të veçantë të historisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Flora Brovina ka qenë dhe është një ndër gratë e spikatura të shoqërisë tonë që i ka rezistuar dhe iu ka kundërvënë dhunës sistematike të regjimit serb të Millosheviqit.

Pasioni i saj për të demaskuar dhunën shtetërore të Serbisë mbi civilët shqiptarë, mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët, i ndjekur edhe nga veprimet e saj në ndihmë familjeve dhe nënave para dhe gjatë kohës së luftës, e ka bërë Florën pjesë të pandashme të brezit të njerëzve të veçantë të historisë sonë më të re” ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, gabimi është njerëzor dhe ky gabim nuk duhet të bëjë që të harrohet puna e aktivistë Brovina.

“Ishte pikërisht ky pasion i saj për t’i kontribuar dëshmisë mbi krimet serbe në Kosovë, nxitja që e shtyu për të publikuar një dëshmi për këto krime, e pavetëdijshme se autenticiteti i kësaj dëshmie nuk qëndron.

Pavarësisht këtij gabimi tërësisht njerëzor dhe spontan, nuk mund të harrojmë se Flora Brovina është rrëfimi ynë i përbashkët, i një aktivisteje që ishte halë në sytë e regjimit të Millosheviqit dhe viktimë e tij” ka përfunduar Tahiri statusin e tij në Facebook.

Komento: