
Liverpooli është dëmtuar nga një vendim i gabuar i gjyqtarëve në humbjen 1-0 ndaj Arsenalit. Paneli i Incidenteve Kyçe të Ndeshjeve (KMI) të Ligës Premier ka konfirmuar se skuadrës së drejtuar nga Arne Slot është dashur t’i akordohej një penallti pas një ndërhyrjeje të Jurrien Timber ndaj Alexander Isakut.
Rasti kontrovers ndodhi në minutën e 21-të të ndeshjes së zhvilluar më 1 nëntor në “Anfield”. Gjatë një aksioni sulmues, Timber e kapi nga fanella sulmuesin suedez, i cili po përpiqej të arrinte një krosim nga krahu i djathtë.
Pavarësisht kontaktit të dukshëm, gjyqtari Andy Madley nuk akordoi penallti, ndërsa VAR-i, me Stuart Attwellin përgjegjës, vendosi të mos ndërhynte.
Paneli konfirmon gabimin e gjyqtarëve
Sipas raportimit të BBC-së, paneli i KMI-së votoi me katër vota pro dhe një kundër se Liverpoolit duhej t’i jepej penallti në fushë. Po ashtu, me tri vota pro dhe dy kundër, paneli vlerësoi se VAR-i duhej të ndërhynte dhe ta ftonte gjyqtarin ta rishikonte rastin në monitorin pranë fushës.
Dy anëtarë të panelit kishin mendim tjetër, duke vlerësuar se shkalla e ndikimit të tërheqjes së fanellës ndaj Isakut ishte subjektive dhe se VAR-i nuk kishte arsye të ndërhynte. Megjithatë, shumica e konsideroi rastin një gabim të qartë dhe të dukshëm.
Paneli ishte unanim vetëm në një pikë tjetër: Timber nuk duhej të ndëshkohej me karton të kuq për mohimin e një mundësie të pastër për shënim, pasi rasti nuk i plotësonte kriteret për një përjashtim të tillë.
Kritikat për simulimin pas ndeshjes
Pas takimit, trajneri i Liverpoolit kritikoi vendimin e gjyqtarëve, duke theksuar se Isak kishte qëndruar në këmbë pavarësisht tërheqjes së fanellës.
“Është e qartë se ai po ia mbante fanellën. Alex ishte përpara tij dhe po përpiqej të godiste me kokë drejt portës, por nuk mundi sepse ia kapi fanellën”, ishte komenti i trajnerit të Liverpoolit për BBC-në.
Ai shtoi se nëse sulmuesi do të ishte rrëzuar, penalltia me shumë gjasë do të ishte akorduar, duke ironizuar se lojtarët mund të nxiten të rrëzohen për të bindur gjyqtarët për ndërhyrjet e kundërshtarëve.