Escobar: Asociacionit s’mund t’i ikë një parti apo individ njëanshëm.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka komentuar deklaratën e tij në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku rreth një muaj më parë tha se nëse ai nuk formohet nga qeveria, atëherë do të gjenden partnerë alternativë.
Escobar tha se Asociacionit nuk mund t’i ikë një parti a individ njëanshëm, teksa shtoi se i njëjti e obligon edhe Kosovën edhe Serbinë, por edhe Bashkimin Evropian.
Më tej, Escobar tha se çështjen e formimit të asociacionit po e diskutojnë edhe me anëtarë të shoqërisë civile, grupe multietnike e organizata hulumtuese që sipas tij kanë punuar shumë për të parë se si mund të funksionojë asociacioni në mënyrë që nuk e rrezikon funksionalitetin e Kosovës.
“Këta janë partnerët nga të cilët do të filloj të kërkoj që të na ndihmojnë t’i krijojmë disa ide dhe t’i lehtësojnë disa nga frikësimet që njerëzit mund t’i kenë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, është shprehur Escobar, shkruan Klan Kosova.
Gjatë ditës së djeshme edhe këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Kështu tha ai gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë.
“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”.
Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.