Escobar deklarohet pas takimeve në Beograd: Pres vazhdim dinamik dhe konstruktiv të dialogut.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.
“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar.
Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi Presidenca serbe.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan.
Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. /REL