
Galatasaray nuk është e gatshme të plotësojë kërkesën e Milanit për Rafael Leaon, por klubi turk mund të presë deri në shtator për të tentuar të sigurojë shërbimet e yllit portugez me një çmim më të ulët.
E ardhmja e Rafael Leaos vazhdon të mbetet e paqartë. Deri tani nuk ka pasur zhvillime konkrete sa i përket largimit të tij nga Milani, ndërsa ditët e fundit është raportuar edhe mundësia që sulmuesi të qëndrojë në “San Siro”.
Galatasaray është një prej klubeve që ka shfaqur interes për 27-vjeçarin dhe raportohet se ka zhvilluar kontakte kryesisht me rrethin e lojtarit. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi i vendosur nga Milani: 50 milionë euro.
Sipas gazetarit italian Nico Schira, Galatasaray nuk dëshiron të paguajë këtë shumë për Leaon dhe për këtë arsye ka nisur të shqyrtojë edhe alternativa të tjera.
Galatasaray mund të presë deri në shtator
Një mundësi që po shqyrtohet nga klubi turk është pritja deri në fillim të shtatorit. Meqë merkatoja në Turqi mbyllet më vonë se në shumë prej ligave të tjera europiane, Galatasaray mund të presë për të parë nëse Milani do të jetë i gatshëm të ulë kërkesat financiare për portugezin.
Nëse “Rossonerët” nuk ndryshojnë qëndrim dhe vazhdojnë të kërkojnë 50 milionë euro, atëherë Galatasaray pritet të tërhiqet përfundimisht nga gara.
Kjo strategji i ngjan asaj që klubi turk përdori në vitin 2024 për Victor Osimhen. Galatasaray priti dhe arriti ta transferonte sulmuesin nga Napoli fillimisht në formë huazimi, përpara se më vonë të realizonte transferimin përfundimtar për 75 milionë euro.
Për momentin, e ardhmja e Leaos mbetet e hapur. Milani kërkon të mbrojë vlerën e një prej lojtarëve të tij kryesorë, ndërsa Galatasaray shpreson që kalimi i kohës dhe mbyllja e afatit në ligat e tjera europiane ta detyrojë klubin italian të rishikojë çmimin.
Nëse Milani nuk ul kërkesat, transferimi i Leaos te Galatasaray mund të dështojë përfundimisht.