Galatasaray i bën gati 5.5 milionë euro për Rashicën.
Galatasaray ka vendosur përfundimisht ta blejë kartonin e Milot Rashicës. Klubi turk është mjaft i kënaqur me paraqitjet e futbollistit kosovar, të cilin e ka huazuar për një vit nga Norwich City. Klubi nga Stambolli është i gatshëm t’i paguajë 5.5 milionë euro për vushtrriasin
Milot Rashica e ka mahnitur Galatasarayn me paraqitjet e tij të fundit.
Ylli kosovar po shkëlqen së fundmi në fanellën e ekipit turk pas fillimit të vështirë të eksperiencës në Stamboll.
26 vjeçari i ka zhvilluar 7 ndeshje me skuadrën Verdhekuqe duke i realizuar dy gola dhe duke e bërë një asisitm.
E këto statistika kanë bërë që drejtuesit e klubit turk të vihen në lëvizje, shkruan “Gazeta Express”.
Aktualisht, vushtrriasi është i huazuar në klubin e Superligës turke.
Mirëpo, krerët e këtij klubi e kanë ndërmend të trokasin në dyert e Norwichit, i cili e mban kartonin e tij.
Sipas mediumit turk “Hurriyet”, Galata është e gatshme t’i paguajë 5.5 milionë euro për ta blerë kartonin e ish-futbollistit të Vitesses dhe Werder Bremenit.
Trajneri Okan Buruk e ka dhënë dritën jeshile dhe negociatat mund të nisin në ditët në vazhdim.
Rashica ka kontratë me Norwich Cityn deri në vitin 2025, shkruan Gazeta Express.
Por, u largua prej aty pasi ky ekip ra nga Premierliga në Championship.
Mediat turke raportojnë se përfaqësuesi kosovar është i lumtur në Galatasaray dhe dëshiron ta vazhdojë karrierën aty.